TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një shpërthim i fuqishëm i regjistruar këtë të mërkurë në një apartament në qytetin e Elbasanit ka përfunduar në tragjedi, duke i marrë jetën një gruaje 83-vjeçare, ndërsa raportohet edhe për persona të tjerë të prekur.
83-vjeçarja që humbi jetën banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi ndodhi në një apartament në lagjen “Beqir Dardha”, duke shkaktuar shembjen e mureve të banesës dhe dëmtimin e një pjese të shkallëve të pallatit.
Sipas informacioneve të bëra publike, 8 persona kanë marrë ndihmën e parë dhe janë transportuar drejt spitalit, pasi kanë mbetur të asfiksuar nga tymi i shkaktuar prej shpërthimit.
Dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë një bombol gazi, shpërthimi i së cilës ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e ndërtesës, përfshirë shembjen e shkallëve dhe të mureve të pallatit.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimi zjarrfikës ka nisur evakuimin e banorëve, ndërsa raportohet se disa qytetarë kanë mbetur të bllokuar brenda ambienteve ku ndodhi shpërthimi. Situata ka shkaktuar panik dhe alarm te banorët e pallatit dhe të zonës përreth, për shkak të fuqisë së shpërthimit dhe dëmeve të shkaktuara.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë, grupi hetimor, shërbimi zjarrfikës dhe ekipet e emergjencës mjekësore, të cilat vijojnë punën për menaxhimin e situatës, evakuimin e plotë të banorëve të mbetur dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.