AKTUALITET, 4 November 2026, 14:21

Operacioni/ Po trafikohej drejt Shqipërisë, kapet 1 kg kokainë në Muriqan! Arrestohet 56-vjeçari, ja ku e kishte fshehur

Operacioni/ Po trafikohej drejt Shqipërisë, kapet 1 kg kokainë

Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunimi”, goditën një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato doganore, bazuar në analizën e riskut, kaluan për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga 56-vjeçari A. H.

Gjatë kontrollit të automjetit, brenda një çante, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë mbi 1 kilogram. Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër arrestuan shtetasin A. H., 56 vjeç, banues në Durrës.

Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.