TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rikthehen hakmarrjet dhe përplasjet e bandave të Lushnjës.
Persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr mbrëmë rreth orës 20:00 drejt lokalit të Saimir Taullaut, i cili ka mbetur i plagosur me një plumb në shpatull, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se ngjarja ka lidhje me konfliktet dhe hasmëritë e familjes së tij. Në vitin 2005, vëllai i tij, Baki Taullau, është ekzekutuar me armë zjarri dhe familja Taullau ka akuzuar për këtë krim bandën e Aldo Bares.
Sipas Policisë, ngjarja e mbrëmshme është shënuar në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të Saimir Taullaut, 47 vjeç, banues në Lushnje. Për pasojë, ai ka mbetur i plagosur lehtë dhe ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se pas ngjarjes, autorët e dyshuar të atentatit janë larguar me një automjet të cilin ende nuk e kanë identifikuar. Por blutë sqarojnë se kanë gjetur dëshmitarë okularë që e kanë parë mjetin me të cilin dy autorët e dyshuar janë larguar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të saj si edhe identifikimin e autorëve.
Në hyrje-daljet e qytetit janë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e tyre. Saimir Taullau njihet si mik i ngushtë me Laert Haxhiun, madje në vitin 2015 ata janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi u kapën me një sasi droge në automjet. Laert Haxhiu rezulton se është autor i vrasjes së shokut të Aldo Bares, Gerti Lala, 29 vjeç. Bashkë edhe me mikun e tij Orges Bilbili, ai është dyshuar edhe për atentatin e ndodhur në vitin 2016, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili.
Gjithashtu, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë të dyshuar si autorët që hapën zjarr me breshëri me dy armë automatike nga një automjet në ecje në vitin 2017 në Lushnjë. Për pasojë mbetën të vdekur shtetasit Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Gjithashtu, mbeti i plagosur 26- vjeçari Marius Xhepexhiu, si dhe 66-vjeçari B. Turku, i cili ka qenë kalimtar i rastësishëm. Pak minuta para atentatit, bashkë me ta ka qenë edhe Xhulio Shkurti. Ky i fundit, nip i Aldo Bares, ishte ndarë nga grupi vetëm disa minuta më parë.
Ai do të shkonte për t’u qethur, për t’iu bashkuar më vonë sërish miqve të tij. Grupi hetimor kishte dyshime asokohe se shënjestër e këtij atentati ka qenë Xhulio Shkurti dhe se autorët kanë hapur zjarr pa pasur informacion se ai ishte ndarë nga grupi vetëm pak minuta më parë. Ndërkaq, plagosja e mbrëmshme dyshohet të ketë lidhje pikërisht me këto ngjarje në seri që kanë ndodhur në Lushnjë njëra pas tjetrës, të gjitha për hakmarrje dhe larje hesapesh./ Panorama/