AKTUALITET, 5 Tetor 2018, 22:22

Detaje nga arrestimi në Kakavijë, komandoja nuk tregoi pse po largohej nga Shqipëria; Forcat Speciale nisen nga Tirana për ta marrë

Detaje nga arrestimi në Kakavijë, komandoja nuk tregoi pse po largohej

Janë zbardhur detaje të reja sa i takon ndalimit të Gledo Hotit në pikën kufitare të Kakavijës pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm në lokalin ku ndodhi vrasja mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

Hoti, 37-vjeç është pjesë e Forcave Komando ndërsa ai u ndalua në momentin që po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Gazetari Piro Nase, në një lidhje telefonike për emisionin ‘Repolitix’ në ReportTV tha se në momentin e ndalimit Hoti nuk ka bërë rezistencë. Në momentin që është paraqitur para punonjësve të policisë kufitare ai nuk ka dhënë detaje për largimin nga Shqipëria ndërsa drejt Gjirokastrës është nisur një grup i forcave speciale për të bërë transferimin e tij në Tiranë.

“Ai nuk është përgjigjur, se cili ka qenë qëllimi i largimit nga Shqipëria.

Në bazë të kontrollit TIMS u zbulua që rezulton në kërkim për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Nuk ka bërë rezistencë në momentin e zbulimit, por është vënë në dispozicion të policisë.

Policia e Tiranës është nisur me urgjencë drejt Gjirokastrës për të marrë të arrestuarin”, njoftoi gazetari Nase.