TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Disa persona të shoqëruar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Lalm i Vjetër, ku Kol Murrani, rapsod i njohur në zonën e Lezhës, dhe Preng Simoni, që të dy rreth të gjashtëdhjetave u gjeten te pajete.
Trupat e dy burrave janë gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00, ndërsa ekzekutimi i tyre mendohet të jetë kryer rreth mesditës.
“Panorama” mëson se policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të cilët po merren në pyetje.
Ka dyshime për një person, banor i zonës të jete autor i ngjarjes. Ai është shoqëruar dhe pritet t’i pritet fleta e arrestit. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të vjetra mes palëve, ndërkohë që objektiv i atentatit dyshohet se ka qenë Kol Murrani.
Sipas burimeve, Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe kishin dalë herët në mëngjes për të shkuar te shtëpitë e vjetra, që kanë në fshatin Lalm i vjetër.
Ata kishin udhëtuar me motor drejt zonës malore. Humbja e kontakteve kishte shqetësuar familjarët.
NGJARJA
Duke parë që nuk po përgjigjeshin në telefon, djali i Murranit, në orët e pasdrekës, ka udhëtuar drejt zonës ku kishin shkuar babai i tij bashkë me fqinjin dhe në afërsi të shtëpisë që kishin në fshat, i ka gjetur pa shenja jete.
I riu ka njoftuar Policinë, por terreni i thyer malor dhe rruga e amortizuar ka vonuar rreth 60 minuta mbërritjen e bluve në zonën ku kishte ndodhur ngjarja. Blutë nisën menjëherë hetimet, ndërsa si provë materiale kanë gjetur një sasi të konsiderueshme gëzhojash të armës, me të cilën janë ekzekutuar viktimat.
Sipas burimeve, ata janë qëlluar me breshëri automatiku dhe nga plagët e marra në disa pjesë të trupit kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa trupat e tyre janë dërguar në morgun e Spitalit të Lezhës për ekspertizë mjeko-ligjore.
HETIMET
Në lidhje me ngjarjen, Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, nisi hetimet për zbardhjen e dinamikës së krimit.
Nga të dhënat paraprake mësohet se ata janë ekzekutuar nga një person i tretë, i cili duke përfituar nga zona e pyllëzuar dhe mungesa e banorëve, e ka kryer krimin pa u shqetësuar dhe më pas është larguar. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po kreh të gjithë zonën ku ka ndodhur ngjarja, me qëllim identifikimin dhe kapjen a autorit apo autorëve.
DJALI I VIKTIMËS
Burimet bënë të ditur se djali i viktimës, Kol Murrani, ka telefonuar në Polici, duke thënë se babanë e tij dhe një tjetër person e kanë vrarë me armë zjarri.
Gjatë deklarimeve të tij, i riu është shprehur se kishin kaluar disa orë dhe babai nuk po i përgjigjej në telefon. Nga shqetësimi, ai është nisur në drejtim të shtëpisë së tij të vjetër, ku rrugës, në një zonë të pyllëzuar, ka gjetur edhe trupin e pajetë të babait të tij dhe mikut të familjes.
Gjendja e tij psikologjike është rënduar pas ngjarjes, ndërsa dëshmitë për këtë ngjarje janë shumë të pakta.