AKTUALITET, 3 Nëntor 2018, 09:46

Deputeti i PD: Mjekët “specie në zhdukje”, sistemi shëndetësor drejt kolapsit

Deputeti i PD: Mjekët “specie në zhdukje”, sistemi

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka treguar gjashtë arsyet e largimit të mjekëve nga Shqipëria pas publikimit të raportit se 78% e bluzave të bardha po ikin jashtë vendit.

Përmes një postimi në “Facebook” Shehu shkruan se numri i mjekëve aktualisht është një mjek për 1000 banorë, sipas tij në nivele si të Afrikës Qendrore. Për Shehun kjo rënie është e lidhur me problemet që ka sistemi shëndetësor dhe jo thjesht me pagesat.

Postimi i Shehut:

Mjekët “specie në zhdukje”, në një sistem shëndetësor drejt kolapsit.

Së fundmi u publikua se numri i tyre arriti në 1 mjek për 1000 banorë, nivele Afrikano Qendrore këto.

Kjo rënie nuk është e lidhur thjesht me pagesat, por me “plagët e thella” që ka ky sistem, duke detyruar edhe 78% të ekzistuesve të përgatisin largimin nga vendi:

1- Sistemi ynë shëndetësor renditet i fundit në Europë për “kujdesin ndaj pacientit” me një varfëri ekstreme në financim e pak elemente sociale, koncentrim të shërbimeve në pak qendra, numër shtretërish (2,2 për 1000 banorë), specialitetesh (rreth 200), disa herë më ulët se mesataret europiane etj.

2- Nuk artikulohet asnjë strategji zhvilluese financuese kontributesh, apo menaxhuese si koncepti “spitali ndërmarrje”, autonomia institucionale etj.

3- Parësori është një instrument i centralizuar për qëllime politike e abuzive.

4- Farmaceutika ka një listë medikamentesh që rimbursohen disa herë me të vogël se në vendet europiane në numër e vlerë.

5- Siguria medikamentoze është cenuar nga prejardhja në shumicë e tyre jashtë prodhuesve të “origjinës së sigurt”, jo me prioritet cilësinë por interesat, nga largimi i kompanive serioze, nga mungesa e një kontrolli cilësor etj, duke prekur se pari alternativat e para.

6- Mjekët nuk e gjejnë veten në këtë sistem, që nuk u siguron mjaftueshëm nivelin teknik, kualifikimet, nivelin shkencor, teknologjinë, “arsenalin” farmakologjik, literaturën, të ardhurat ekonomike etj, si dhe as dinjitetin.

Kolapsi, që po “troket në derë” duhet ndaluar, por kjo kërkon ndryshime thelbësore në të gjithë sistemin dhe jo “makiazhe”! TPZ.AL