Desktop - General - 1
AKTUALITET, 16 Korrik 2020, 15:48

Deputetët pa maska në Kuvend, a duhen gjobitur se kanë shkelur rregullin?

Qeveria ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në rast abuzimi parashikohen edhe gjoba dy mijë lekë.

Por, të parët që shkelin ligjin janë vetë deputetët.

Gjatë seancës plenare, shihet se disa prej tyre nuk po mbajnë maska.

Dhe sigurisht nuk bëhet fjalë për rastet kur ata duhet të flasin, shkruan Abcnews.al.

Kjo e ka revoltuar kryeparlamentarin Ruçi, i cili u kërkoi deputetëve në sallë në fillim të seancës që të vendosin maskën mbrojtëse.

“Ne duhet të jemi të parët për zbatimin e masave dhe nuk ka vend për të neglizhuar ne të parët dhe për të kërkuar nga zgjedhësit se kjo betejë fitohet. Kush është pa maskë në sallë të vendosë maskën, kjo është e para.

Këtë e bën e gjithë bota, gjithë protokolli dhe parlamentet e botës. Edhe krerët e shteteve më të fuqishme takohen dhe diskutojnë online”, tha ai.

Ndërkohë deputeti Korab Lita u tregua i drejtpërdrejtë kur tha se deputetët rrinë grumbull në kafe, duke nënkuptuar se nuk duan t’ia dinë për zbatimin e masave të vendosura nga vetë ata.