AKTUALITET, 19 Dhjetor 2018, 23:38

Dëbimi i diplomatëve iranianë, Pompeo dhe Bolton përgëzojnë Shqipërinë

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përshëndetur vendimin e Shqipërisë për të dëbuar ambasadorin iranian në Tiranë si dhe një punonjës tjetër, pasi sipas tij komplotuan sulme terroriste në Shqipëri. Përmes një postimi në Twitter, Pompeo thotë se përgëzon vendimin e kryeministrit Edi Rama për dëbimin, ndërsa sipas tij bota duhet të qëndrojë e bashkuar ndaj sanksioneve të Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjellje. “Përgëzoj dëbimin nga kryeministrit Edi Rama të dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Shtetet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të sanksionuar regjimin e Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjelljen destruktive”- shkruan Pompeo në Twitter. Edhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Bolton ka shprehur mbështetje për kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar në qëndresën kundër terrorizmit. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke sinjalizuar liderët iranianë se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi me kryeministrin Rama dhe popullin shqiptar teksa ngrihen kundër sjelljes së rrezikshme të Iranit në Europë dhe botë”, shkruan Bolton.