AKTUALITET, 19 Dhjetor 2018, 22:21

Drafti i PS, Bylykbashi: Kanë për qëllim të sabotojnë reformën zgjedhore

Drafti i PS, Bylykbashi: Kanë për qëllim të sabotojnë

Partia Demokratike e cilëson draftin e njëanshëm të depozituar nga maxhoranca në Kuvend si minim të reformës zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, në një deklaratë për mediat akuzoi maxhorancën se po synon të sabotojë reformën zgjedhore.

“Me paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS-ja në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS-së është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund të votojë vetëm amendamente që miratohen nga Komisioni i reformës zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje, që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE-ODIHR-it në vitin 2017”, shprehet Bylykbashi.

Bashkëkryetari i reformës zgjedhore thekson se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë, ndërkohë që në draftin e propozuar nga PS-ja këto shqetësime nuk janë reflektuar.

“Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1.4 milionë letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ?datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërrmuese të zgjedhësve aktivë. Asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë në jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore. Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore siç rekomandon ODIHR. Asnjë përpjekje nuk është bërë për sistemin e plotë dhe të saktë të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejojë manipulimin e listave të zgjedhësve duke importuar zgjedhësit nga një qytet në tjetrin”, theksoi deputeti i PD-së.

Bylykbashi kujton se asnjë masë nuk është marrë që Policia e Shtetit të garantojë që kriminelët të mos prishin procesin. “Për problemin numër Një, atë të shitblerjes së votës, Edi Rama dhe drejtësia e kapur prej tij vazhdojnë të mbrojnë Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë të PS-së, të interceptuar edhe ligjërisht nga përgjimet e Prokurorisë në pazare me kriminelët për të blerë vota dhe kërcënuar votuesit”, deklaroi Bylykbashi.