AKTUALITET, 18 Shtator 2019, 11:20

Debatet në mbledhjen për shkarkimin e Metës, Komisioni Hetimor shtyn me dy muaj afatin për hetim

Debatet në mbledhjen për shkarkimin e Metës, Komisioni Hetimor


Me shtatë vota pro dhe dy kundër, Komisioni Hetimor i ngritur për hetimin me qëllim shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, miratoi paraditen e sotme kërkesën për zgjatjen me dy muaj të punimeve. Kjo kërkesë tashmë do ti kalojë kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor. Mbledhja nisi me debate.

Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, duke kërkuar fjalen pas kreut të Komisionit, Ulsi Manja, ka theksuar se ky komision nuk duhet të ekzistojë.

Sipas tij, komisioni nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit, sepse nuk ka asnjë marrëveshje sipas tij, nga ana e Presidentit, që prekin interesat e shqiptarëve.

“Unë gjykoj se ky komision nuk duhet të ekzistojë sepse nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit sepse nuk kemi shkelje të rëndë.

Pra jo për ta shtyrë afatin, por nuk kemi një shkelje të rëndë që fajëson presidentin sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi, apo prek interesat e shqiptarëve”- tha Alimadhi.

Në mbledhjen e sotme pritet të vendoset shtyrja e afatit të punimeve të tij. Kërkesë që vjen nisur nga dalja e raportit final të komisionit të Venecias, që pritet të jetë më 12 tetor.

Ndërkohë që kujtojmë se afati ligjor i strukturës hetimore të komisionit është data 8 tetor. Ndërkohë kryetari i Komisioni Ulsi Manja kërkoi që afati i punimeve të shtyhet me dy muaj, gjë që nuk është quajtur e arsyeshme nga ana e opozitës së re.

Deputeti Krenar Rryçi është shprehur dakord me shtyrjen e afatit.

“Duhet të jemi më seriozë, ta shtyjmë me dy dhe tre muaj, sa të jetë e nevojshme, ne jemi komision hetimor, por nuk marrim njeri të pandehur këtu- tha ai.