Ndonëse posedojnë me shumë sa një banesë, disa deputetë të Kuvendit, 10 prej tyre, përfitojnë ndihmë nga shteti për qiranë e shtëpisë në Tiranë. Disa muaj më parë, në media u publikua edhe lista e deputetëve që përfitojnë një shumë prej 35 mijë lekësh të rinj si mbështetje për pagimin e qirasë së banesës, në të cilën jetojnë në Tiranë.
Ata kanë shfrytëzuar të drejtën që u japin ligjet, sipas së cilave një deputet që nuk banon në Tiranë, i garantohet ndihmë financiare nga shteti. Mes listës së deputetëve që marrin mbështetje nga shteti për pagesën e qirasë, bie në sy ishkryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, dhe ish-këshilltari i Ramës, Fatmir Velaj, kreu i PDKsë, Nard Ndoka.
Gjithashtu, pjesë e kësaj liste që marrin mbështetje qiraje janë edhe deputetët Edlira Bode, Edmond Leka, Ilirjan Pendavinji, Izmira Ulqinaku, Luan Harusha, Nadire Meçorapaj dhe Xhevit Bushaj.
Sipas të dhënave të publikuara disa muaj më parë në media, pasuria e 140 deputetëve e mbledhur bashkë shkon në total rreth 150 milionë. Në këtë llogari mungojnë deklaratat e pasurisë së deputetëve më të vjetër, që nuk kanë deklaruar pasurinë para shumë viteve, por vetëm shtesat ndër vite.