SPORT, 14 Shtator 2021, 21:08

Champions League/ Ronaldo gol dhe rekord, Young Boys “përmbys” Manchester United

Champions League/ Ronaldo gol dhe rekord, Young Boys “përmbys”

Pas dygolëshit në kampionat ndaj Southamptonit, Cristiano Ronaldo vuri firmën edhe në golin e parë sezonal të Manchester United në këtë sezon të Champions League, pasi gjeti rrjetën që në minutën e 13-të të ndeshjes ndaj Young Boys.

Sulmuesi portugez shënoi pas një asisti të fantazistit Bruno Fernandes, ndërsa më pas ishte Wan-Bissaka që la “djajtë e kuq” me 10 futbollistë në minutën e 33-të dhe kaq mjaftoi që zviceranët të shënonin dy herë në pjesën e dytë dhe të realizonin përmbysjen e madhe.

Me golin e shënuar ndaj Young Boys, Ronaldo shton një tjetër rekord në karrierën e tij, pasi çon në 36 numrin e skuadrave që u ka shënuar në Champions League, duke barazuar Lionel Messin.

Plot katër penallti në Andaluzi, në sfidën mes Sevillas vendase dhe Salzburgut, por në fund vetëm dy gola të shënuar dhe dy skuadrat ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1.

Tre penallti fituan austriakët në pjesën e parë, por kthyen në gol vetëm njërën prej tyre, ndërsa më pas arbitri akordoi penallti edhe për Sevillan, që barazoi me anë të Rakitic.