SPORT, 14 Shtator 2021, 11:52

Armand Duka homazhe për fizioterapistin e Kombëtares: Yll e kishte emrin, ashtu ishte dhe në jetë

Armand Duka homazhe për fizioterapistin e Kombëtares: Yll e kishte

Gjatë homazheve të kryera në stadiumin “Selman Stërmasi”, për ndarjen nga jeta të fizioterapistit të Kombëtares shqiptare, Ylli Mihali, në fjalën e tij Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Mihali.

Fjala e Dukës:

Sot është një ditë e trishtë, për mua dhe futbollin shqiptar. Kemi humbur një nga njerëzit më të mirë dhe më të dashur, i cili ka kontribuar për 27 vite në futbollin shqiptar.

Mbase pak e kanë njohur në ndeshjet, por ata që kanë luajtur dhe ju mediat që keni qenë pranë ekipit Kombëtar e kanë ndjerë shumë.

Një djalë i shkëlqyer dhe fizioterapist padyshim shumë i mirë, një njeri i pakursyer për të ndihmuar të tjerët.

Më vjen keq që nuk arritëm që të gjithë ta ndihmonim, ta mbanim në jetë Yllin, por ishte e pamundur. Ky virus i mallkuar na ka dhënë shumë dhimbje të tjera gjithashtu dhe sot shumë dhimbje për futbollin shqiptar.

Doja të ngushëlloja familjen, miqtë e Yllit, futbollistët të cilët kanë qenë të trishtuar jo vetëm ata që kanë luajtur për ekipin Kombëtar, por edhe ata që kanë kaluar nëpër ekipet kombëtare.

Nuk kam fjalë, u prehtë në paqe! Ai e ka shkruar historinë vërtetë, të paktën për ne që e kemi njohur nga afër nuk do ta harrojmë kurrë!

Ashtu siç e kishte emrin, Yll ashtu ishte dhe në të vërtetë.