TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Manchester City mundi përsëri Realin e Madridit, duke kaluar pa shumë probleme në fazën çerekfinale të Champions League-s, me rezultatin e përgjithshëm 4-2 dhe trajneri Pep Guardiola u shfaq shumë i kënaqur për ndeshjen e bërë nga “sky blues”. Një takim i interpretuar vërtet shumë mirë nga “Citizens”, që në “Etihad” dominuan për një pjesë të madhe të kokës ekipin rekordmen të këtij kompeticioni, megjithëse, për hir të së vërtetës, golat e shënuar erdhën në formë dhurate, pas gabimeve shumë të rënda të qendërmbrojtësit francez, Raphael Varane.
49-vjeçari katalanas befasoi sërish, teksa ndryshoi 2/3 e sulmit krahasuar me ndeshjen e vajtjes në “Santiago Bernabeu”. Ashtu si edhe në Spanjë, Pep e mposhti ekipin “merengues” pa sulmuesin kryesor, argjentinasin Sergio Aguero, sidoqoftë, nëse në Madrid Guardiola rreshtoi që nga minuta e parë treshen Bernardo Silva – Gabriel Jesus – Riyad Mahrez, në takimin e kthimit në Manchester 49-vjeçari nga Santpedori preferoi ta nisë sfidën me treshen Sterling – Phoden – Jesus.
Guardiola bëri plot katër ndryshime në formacionin fillestar krahasuar me ndeshjen e “Bernabeut”, por zgjedhja që habiti më shumë ishte pikërisht përfshirja e mesfushorit 20-vjeçar në rolin e një nënte false. Raheem Sterling këtë herë e filloi takimin në krahun e djathtë, ndërsa në anën e majtë të sulmit Pepi i dha besim sulmuesit brazilian Gabriel Jesus. Mbrojtja mike në shumë raste u duk e çorientuar dhe Reali ishte vërtet me shumë fat që nuk doli nga “Etihadi” me një pasiv më të rëndë.
Trajneri Zinedine Zidane nuk kishte në dispozicion mbrojtësin Sergio Ramos, megjithatë Reali vuajti ndjeshëm edhe në ndeshjen e luajtur në fund të muajit shkurt, kur kapiteni ishte në qendër të repartit të prapavijës. Guardiola u duk vërtet shumë i lumtur, gjë që u pa edhe në mënyrën e tij të festimit, megjithatë në deklaratat pas ndeshjes trajneri iberik u tregua tepër i sinqertë, duke shpjeguar edhe një gabim në interpretimin e modulit të tij të lojës. Strategu katalanas tha se në pjesën e parë ai bëri një gabim në aspektin taktik.
Presingu i lartë i kryer nga ana e “sky blues” i dha shpejt frytet, teksa City zhbllokoi rezultatin që në 9’, falë lojtarit të përfaqësueses angleze, Raheem Sterling, megjithatë “los blancos” barazuan shifrat pa u mbushur as gjysmë ore lojë, me anë të sulmuesit kryesor të skuadrës, Karim Benzema.
Direktivat e Guardiolës ishin për të ushtruar presing lart në gjysmëfushën e Realit dhe Pepi sqaroi se gjatë pjesës së parë ai i kishte orientuar futbollistët anësorë për të luajtur më brenda. Trajneri i City-t shtoi se shpeshherë një mënyrë e tillë loje ka funksionuar, megjithatë Guardiola pranoi se në disa raste një zgjedhje e tillë ka hasur probleme, sidoqoftë, sipas tij, në përgjithësi “Citizens” bënë një punë shumë të mirë.
Trajneri katalanas tha për BT Sport se askush nuk priste që pas gjysmë ore lojë ekipi i tij të kryesonte 4-0. Pep theksoi se në fraksionin e dytë të lojës skuadra e tij nuk pati shumë raste për shënim, megjithatë ekipi përsëri ia doli për të krijuar volum loje. Guardiola deklaroi se formacioni i tij bëri përpjekjet maksimale për të shënuar më tepër, pavarësisht se goli i fitores erdhi për pasojë të gabimeve në seri të kampionit të botës Raphael Varane.
49-vjeçari mori përsipër gabimin e bërë në pjesën e parë, duke thënë se në fraksionin hapës në vend që të synonin pjesën e brendshme të fushës lojtarët e krahut duhet të ishin pozicionuar anash saj, për të kërkuar hapësirat e nevojshme. Guardiola qartësoi se gjithçka u korrigjua në pjesën e dytë, pasi futbollistët e krahut u shërbyen në zonat e duhura të fushës dhe skuadra e tij u paraqit shumë më mirë, duke zmadhuar territorin e mbulimit për ekipin kundërshtar.
Në këtë mënyrë Manchester City ia doli për të eliminuar për herë të parë në histori klubin e Realit të Madridit, pas dy tentativave të dështuara në vitet 2012 e 2016, respektivisht në fazën e grupeve dhe raundin gjysmëfinal në Champions League. Në krahun tjetër kjo disfatë përfaqëson edhe eliminimin e parë të trajnerit Zinedine Zidane në Champions, sepse, siç dihet, nën drejtimin e Zizou-së Reali u kurorëzua tri herë rresht me “kupën me veshë të mëdhenj”.
Pavarësisht titullit në Spanjë Reali u shfaq me probleme dhe krijoi vërtet shumë pak, madje ekipin madrilen e shpëtuan pritjet e mrekullueshme të portierit belg, Thibaut Courtois, pasi diferenca mund të ishte shumë më e madhe në rezultat. Për habinë e të gjithëve trajneri francez preferoi të ngjeshej prapa dhe të mbrohej me shumë futbollistë, në një kohë kur skuadrës i nevojiteshin dy gola për të synuar kualifikimin.
Në mënyrë të pakuptimtë trajneri Zidane kreu tri zëvendësime njëkohësisht vetëm 7’ para përfundimit, duke krijuar kështu përshtypjen se 48-vjeçari me origjinë algjeriane u përpoq më shumë që formacioni i tij të mos turpërohej me një humbje akoma më të thellë.
City do të matë forcat në çerekfinale në Lisbonë me ekipin e Lyonit, më datë 15 gusht, ndërsa në krahun tjetër Reali i Madridit u turpërua për të dytin sezon rresht në Champions, duke u eliminuar përsëri që në fazën e 1/8. Vjet me Ajaksin e pësoi Santiago Solari, ndërkohë sivjet, edhe pse ekipi i tij u eliminua, Zinedine Zidane u shfaq shumë i qetë dhe pavarësisht ngacmimeve të ndryshme nga ana e gazetarëve trajneri francez këmbënguli me forcë se nuk ka aspak frikë për një shkarkim të mundshëm dhe do të vazhdojë të jetë trajner i Realit të Madridit.