SPORT, 6 Gusht 2020, 23:10

Baseli bën detyrën ndaj E. Frankfurtit, Wolves nxjerr jashtë Olympiacosin

Baseli bën detyrën ndaj E. Frankfurtit, Wolves nxjerr jashtë

Baseli dhe Wolves sigurojnë dy biletat e fundit të fazës çerekfinale të Europa League, ku do të përballen respekivisht me Shakthar Donetsk dhe Sevillan.

Në fakt, skuadra zvicerane thuajse e kishte siguruar kualifikimin që në takimin e parë me Eintracht Frankfurtin, të cilin e kishte mposhtur 3-0 në transfertë, kështu që në takimin e kthimit të zhvilluar në “St. Jakob-Park” u mjaftua me një sukses minimal, falë golit të shënuar nga Frei në minutën e 88-të.

Shumë më emocionuese ishte sfida e zhvilluar në “Molineux Stadium” të Wolverhamptonit mes Wolves dhe Olympiacosit, ku një gol i shpejtë i realizuar me 11-metërsh nga Jimenez rezultoi vendimtar në kualifikimin e “ujqërve”, të cilët kishin barazuar 1-1 në sfidën e parë të zhvilluar në fushën e skuadrës greke.

Në fakt, takimi mbeti i hapur deri në sekondën e fundit të lojës, por futbollistët e Olympiacosit, edhe pse rrezikuan në disa raste, nuk mundën ta gjenin golin që do ta çonte sfidën në shtesë.

Interi, sikurse pritej, do të përballet me Bayer Leverkusenin në çerekfinale të Europa League-s, takim që do të zhvillohet të hënën e ardhshme. Ekipi gjerman mposhti 1-0 Glasgow Ranges në takimit e kthimit të 1/8-ave, që u zhvillua në “BayArena” të Leverkusenit dhe me rezultat të përgjithshëm 4-1 kalon në fazën tjetër. Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Diaby në minutën e 51-të, i shërbyer nga Aranguiz.

Roma nuk ia doli t’i bënte ballë Sevillas në takimin e zhvilluar në “Schauinsland-Reisen-Arena” të Duisburgut, ku verdhekuqtë u dorëzuan që në pjesën e parë. Skuadra andaluze, eksperte në këtë kompeticion, e zhbllokoi takimin që në minutën e 22-të me ish-lojtarin e Real Madridit Reguilon, pas një depërtimi të shpejtë në zonë. Në fundin e pjesës së parë goditjen përfundimtare Romës ia dha En Nesyri, që përmbylli me sukses një kundërsulm të shpejtë të ekipit spanjoll. Roma nuk gjeti forca për të reaguar në pjesën e dytë, madje në fundit e takimit Mancini u ndëshkua me karton të kuq, për sjellje josportive ndaj Luk de Jong.