BALLKAN, 27 Nëntor 2017, 12:16

Caktohet seanca e radhës ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të VV

Caktohet seanca e radhës ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të VV

Pas shumë dështimeve për të siguruar praninë e tyre në sallën e gjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar seancën e radhës ndaj katër deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Kjo seancë është caktuar të mbahet të premten, më 1 dhjetor.

Caktimin e kësaj date, e ka konfirmuar  procesmbajtësja e gjykatësit Beqir Kalludra, Mybera Latifi.

Policia e Kosovës, të premten e javës së kaluar, kishte arrestuar tre deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiun.

Arrestimi i tyre ishte bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte lëshuar udhërarrest ndaj tyre, pasi deputetët nuk kishin shkuar në seancën e 22 nëntorit, në gjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre deputetët, por një ditë më vonë, Gjykata e Apelit ua kishte ndryshuar atyre masat e sigurisë.

Ndaj Kurtit dhe Kadaj-Bujupit, është caktuar masa e arrestit shtëpiak, derisa Haxhiu është lënë e lirë.

Për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore ndaj Albin Kurtit edhe më herët ishte lëshuar urdhërarrest.