AKTUALITET, 12 Shkurt 2018, 19:12

Bushati flet për Tahirin, kanabisin dhe çfarë rrezikojmë

Bushati flet për Tahirin, kanabisin dhe çfarë rrezikojmë

Rrezikojmë të kthehemi në vendin e tretë që dalim me dy qëndrime të ndryshme dhe me lexime të ndryshme të aktualitetit për shkak të interesave të caktuara. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në takimin e 12-të të Komisionit për Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë.

“Po kujtoj vitet kur ishim në shkollë dhe profesorët na thoshin që ka gjithmonë dy vende, që dalin me dy raporte, qoftë në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, por edhe në Komisionet Europiane. Njëri prej tyre është prej vitesh anëtar në Bashkimin Europian dhe tjetri është aspirant, por ka probleme emri me një fqinj (Greqia dhe Maqedonia)”, tha Bushati.

Në lidhje me çështjen Tahiri, kreu i diplomacisë tha se si pjesë e Qeverisë mban të njëjtin qëndrim si mazhoranca: inkurajojmë dhe mbështesim prokurorinë që të provojë akuzat e saj në gjykatë për Sajmir Tahirin dhe cilindo tjetër.

Ndërsa përsa i takon çështjes së kanabisit, Bushati tha se janë bërë hapa të rëndësishëm drejt parandalimit të këtij fenomeni, gjë që është e vërtetuar edhe nga raportet vendase apo ndërkombëtare.

“Ne jemi i vetmi vend në Ballkan, që hapësira ajrore na monitorohet edhe nga një shtet tjetër. Pra, ne bashkëpunojmë me Guardia Di Finanza, për të monitoruar të gjithë territorin dhe për të luftuar fenomenin e kultivimit të kanabisit. Në 2017-ën patëm rezultate mbresëlënëse në drejtim të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe kjo evidentohet qartë edhe nga raportet, qofshin vendase, por edhe ndërkombëtare”, tha Bushati.