AKTUALITET, 12 Shkurt 2018, 15:32

Buqetë me lule në lapidarin me foton e Mehmet Shehut/VIDEO

Buqetë me lule në lapidarin me foton e Mehmet Shehut/VIDEO

Shoqatat e veteranëve të luftës në Patos kanë përkujtuar 75 vjetorin e aksionit të ushtrisë partizane ndaj pushtuesve italianë në këtë zonë, ku sipas dëshmive të kohës, i sollën shumë humbje ushtrisë së Musolinit.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe deputetja e qarkut të Fierit, Antoneta Dhima, e cila së bashku me veteranët ka vendosur buqeta me lule në lapidarin kushtuar kësaj ngjarje.

Në qendër të tij ishte vendosur pikërisht fotografia e ish kryeministrit komunist, Mehmet Shehu.

Fotografitë e diktatorit Hoxha, apo edhe të Mehmet Shehut shfaqen rregullisht nëpër aktivitetet zyrtare sa herë që është Festa e Çlirimit apo ceremonia e 5 Majit.

Katër vjet më parë në debatin për përdorimin e fotove të ish figurave të larta të regjimit komunist, u përfshi edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë.

“Ne përshëndesim ceremoninë për 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës. Fatkeqësisht, fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme pranë ushtarit të panjohur. Një fyerje për shqiptarët”, shkruante ish- ambasadori Arvizu në Twitter.

Por kryeministri Rama i ka quajtur diversantë politikë, ata që mbanin fotografitë e diktatorit në duar.

“Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi, i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”, shkruan kryeministri Edi Rama.