SPORT, 16 August 2026, 19:40

Broja protagonist në rikthimin e Bërnlit, fiton penallti dhe skuadra barazon në fund

Armando Broja ka dhënë menjëherë sinjalet e para pozitive në nisjen e sezonit të ri në Championship me fanellën e Bërnlit.

Sulmuesi shqiptar e nisi ndeshjen nga stoli në përballjen ndaj Uest Hemit, por aktivizimi i tij në minutën e 76-të ndryshoi ritmin e takimit. Bërnli ishte duke humbur 0-2 dhe dukej se miqtë e kishin ndeshjen nën kontroll.

Pak minuta pas hyrjes në fushë, Broja u bë protagonist në aksionin që solli penalltinë për Bërnlin. Pasimi i sulmuesit shqiptar krijoi mundësinë që çoi te 11-metërshi, ndërsa Fleming u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe ngushtoi diferencën.

Pas golit pati edhe tension në fushë, me një përplasje mes lojtarëve ku u përfshi edhe Broja.

Drama vazhdoi deri në fund. Në minutat shtesë, Fleming shënoi sërish dhe i dha Bërnlit një barazim 2-2, rezultat që për mënyrën se si u zhvillua ndeshja mund të konsiderohet si një fitore morale për skuadrën e Brojës.

Paraqitja e sulmuesit kuqezi, edhe pse në pak minuta, i jep atij shpresë për të fituar më shumë hapësira në vazhdim të sezonit me trajnerin e ri.