AKTUALITET, 3 November 2026, 11:30

Përplasja Veliaj-Rama/ PD: Kryeministri të dorëhiqet, përdor SPAK për të goditur kundërshtarët! Manja: Në 2016 hoqëm duart nga drejtësia

Përplasja Veliaj-Rama/ PD: Kryeministri të dorëhiqet, përdor

Letra e bërë publike nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes së cilës pretendon se kryeministri Edi Rama i kërkoi të dorëhiqet nga Bashkia e Tiranës dhe të pranojë se ka financuar protestat, për opozitën është provë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. 

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, në Komisionin e Ligjeve tha se pretendimet e Veliajt se Edi Rama e ka kërcënuar përmes Toni Gogut me 100 vite burg, tregojnë se si kryeministri përdor SPAK dhe GJKKO për goditur kundërshtarët e tij politikë.

“Ajo letër grisi edhe SPAK-un, edhe GJKKO-në. Ata mund të dalin me deklaratë dhe të thonë që ato që thotë Veliaj janë të pavërteta, ai nuk ka kuptuar se çfarë ka bërë reforma në drejtësi. Praktikisht, edhe ai, edhe ish-shefi i tij e kanë kuptuar se çfarë është reforma në drejtësi. Produkti është ky: SPAK-u, me urdhër të tij, t’i rrisë akuzat dhe GJKKO-ja ta kalbë në burg”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta, duke krahasuar qëndrimin ndaj Veliajt me atë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Këto konkretizohen tek ata pak rreshta të ditarit të Veliajt, që kryeministri është në gjendje të urdhërojë prokurorinë dhe gjykatën se si të dënojë kundërshtarët. Për të njëjtën akuzë, njëri qëndron në burg, tjetri jashtë. Zëvendëskryeministrja e akuzuar për korrupsion, prokuroria e posaçme nuk guxon ta çojë. Për mua, po bën politikë. Kjo nënkupton që SPAK-u po luan lojë, se mund ta kërkonte atë gjë pa e parë fare, ndërsa këtë tjetrin e ka përplasur aty dhe nuk e lë të dalë”, vijoi Bylykbashi.

Deputeti demokrat kërkoi largimin e Ramës, një qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme.

“Këtë e di shumë mirë ai zotëria, kur i ka thënë: ‘Do ma dorëzosh mua Bashkinë e Tiranës apo të të kalb në burg? Edhe akuzat t’i bëj palë’. Rama jep dorëheqjen, ikën kjo qeveri, vjen një qeveri kujdestare, e cila ka një detyrë: merr masa që shteti mos të brutalizojë zgjedhjet. Kuvendi duhet të miratojë një kornizë ligjore kujdestarie që pengon shtetin të hyjë në zgjedhje, garanton kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe kur të garantohen, zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Është parakusht ikja e tij”, vijoi Bylykbashi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje në drejtësi, duke thënë se i hoqën duart prej saj që prej vitit 2016 me miratimin e reformës.

“Përtej qëndrimeve politike tashmë të njohura të opozitës, se nuk është risi kjo që bëri Bylykbashi, është pjesë e një skenari të përditshëm që ka opozita, e cila, në vend të ishte alternativë e qeverisjes, është kthyer në zëdhënëse të aktualitetit të përditshëm politik e shoqëror shqiptar. Por kjo është punë e opozitës. Detyra jonë është të miratojmë buxhetin dhe ligjet që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Nuk jemi ne një pushtet që mund të urdhërojmë një institucion të pavarur se si të bëjë detyrën e vet. Këtë e kemi zgjedhur në 2016. Në 2016, përfundimisht, kjo tryezë i hoqi duart nga drejtësia”, iu përgjigj Manja.