BOTA, 12 Shtator 2025, 15:38

Zv/presidenti i Sudanit të Jugut akuzohet për vrasje, tradhti dhe krime kundër njerëzimit

Zv/presidenti i Sudanit të Jugut akuzohet për vrasje, tradhti dhe

Zëvendëspresidenti i Sudanit të Jugut, Riek Machar, është akuzuar për vrasje, tradhti dhe krime kundër njerëzimit, një veprim që disa kanë frikë se mund të ndezë luftën civile në vend.

Ministri i Drejtësisë, Joseph Geng Akech, tha se akuzat kundër Machar lidhen me një sulm në muajin mars, nga një milici që dyshohet se është e lidhur me zëvendëspresidentin, që vrau 250 ushtarë dhe një gjeneral.

Zëdhënësi i Machar e ka dënuar këtë veprim si një “gjueti shtrigash politike”. Rrugët që të çojnë në shtëpinë e Machar në kryeqytet, Juba, janë bllokuar nga tanket dhe ushtarët, informon BBC.

Forcat besnike ndaj Machar luftuan një luftë civile pesëvjeçare kundër atyre që mbështesnin Presidentin Salva Kiir, deri në një marrëveshje paqeje të vitit 2018, që i dha fund luftimeve në vendin më të ri në botë.

Machar ka qenë në arrest shtëpiak që nga marsi, me OKB-në, Bashkimin Afrikan dhe vendet fqinje që bëjnë thirrje për qetësi.

Marrëveshja e paqes e vitit 2018 i dha fund konfliktit që kishte vrarë gati 400,000 njerëz, megjithatë marrëdhënia midis Machar dhe Kiir është bërë gjithnjë e më e tensionuar për shkak të tensioneve etnike dhe dhunës sporadike.

Shtatë të tjerë janë akuzuar së bashku me Machar, përfshirë Ministrin e Naftës Puot Kang Chol dhe Zëvendës Shefin e Shtabit të Ushtrisë Gjeneral-Lejtnant Gabriel Duop Lam, tha Ministri i Drejtësisë Joseph Geng Akech në një deklaratë.

Ata janë të gjithë aleatë të Machar, të cilët u arrestuan në të njëjtën kohë me të dhe që atëherë kanë qenë në paraburgim. 13 të dyshuar të tjerë mbeten të lirë, tha ministri.

Machar dhe Chol janë pezulluar gjithashtu nga rolet e tyre qeveritare, sipas një njoftimi në televizionin shtetëror.

Sudani i Jugut fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011 pas dekadash konflikti që shkatërroi vendin. Por brenda dy vjetësh, shpërtheu lufta civile.