BOTA, 12 Shtator 2025, 14:09

Nis në SHBA gjyqi ndaj atentatorit që tentoi të vriste Trump në fushën e golfit! Ryan Routh flet për Hitlerin, Putinin…

Nis në SHBA gjyqi ndaj atentatorit që tentoi të vriste Trump

Nis në SHBA procesi gjyqësor ndaj Ryan Routh, personit të arrestuar për atentatin e dështuar shtatorin e kaluar ndaj presidentit Donald Trump, periudhë në të cilën ai po kandidonte për Zyrën Ovale.

Pak minuta pasi filloi deklarata e tij hapëse, Ryan Routh, njeriu i akuzuar për përpjekjen për të vrarë Trump, u detyrua nga gjyqtari t’i jepte fund fjalës së tij.

Deklaratat hyrëse përdoren zakonisht për të paraprirë provat dhe argumentet për pjesën tjetër të gjyqit. Por deklaratat e zotit Routh iu kushtuan meditimeve të tij filozofike mbi qëllimin, historinë e evolucionit njerëzor apo “nevojën për të qenë të mirë me njëri-tjetrin”.

Ai përmendi Adolf Hitlerin dhe Vladimir Putinin dhe deklaroi:

“Gjyqet moderne duket se eliminojnë gjithçka që është njerëzore”.

Gjyqtarja e distriktit amerikan, Aileen Cannon, e ndërpreu zotin Routh tre herë për t’i kujtuar procedurën e duhur dhe për ta qortuar atë për “tallje me këtë gjykatë”. Në një moment, e emëruara nga Trump kritikoi fjalën e të dyshuarit para jurisë, informon BBC.

Fjalët e tij të shkurtra hapëse dhe qortimet e shpeshta nga gjyqtari përgatitën skenën për një ditë të parë të pazakontë – dhe ndonjëherë të pakëndshme.

Routh, 59 vjeç, akuzohet për pesë krime, përfshirë tentativën e vrasjes së një kandidati të rëndësishëm presidencial (aktualisht president i SHBA) dhe ka zgjedhur të përfaqësojë veten. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Për prokurorinë, John Shipley Jr tha në fjalën e tij hapëse se duke u përpjekur të vriste Trumpin në mes të zgjedhjeve të vitit 2024, Routh “vendosi t’ia hiqte zgjedhjen popullit amerikan”.

“Ky rast nuk ka të bëjë me faktin nëse ju pëlqen apo jo Donald Trump,” i tha zoti Shipley jurisë. “Përkundrazi, çështja ishte nëse Routh komplotoi për ta vrarë atë”, shtoi ai.

Të dhënat e telefonit celular, pamjet e kamerave të sigurisë, një shënim i shkruar me dorë nga zoti Routh ku deklarohej qëllimi për të vrarë Trumpin, plus pohimet e dëshmitarëve okularë, do ta vërtetonin çështjen përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, tha Shipley.

Dëshmitari i parë, Robert Fercano, ishte një anëtar i Shërbimit Sekret të Trump. Ai dëshmoi se si zbuloi një burrë të fshehur në perimetrin e fushës së golfit të Trump në West Palm Beach shtatorin e kaluar.

Ai shtoi se pa edhe atë që dukej të ishte gryka e një arme të tipit AK që depërtonte përmes gardhit, teksa identifikoi të dyshuarin.

Anëtarët e jurisë dëgjuan një audio të Fercano, duke u dërguar në radio kolegëve pasi ai qëlloi me armë në drejtim të Routh: “Të shtëna! Të shtëna! Të shtëna!”

“A është mirë të jesh gjallë?” e pyeti ai agjentin.

“E di që ma drejtove armën në fytyrë”, i tha agjenti Fercano të dyshuarit Routh, në përgjigje të pyetjeve në lidhje me pozicionimin e armës.

Prokurorët thirrën tre dëshmitarë të tjerë të enjten: një tjetër agjent të Shërbimit Sekret të SHBA-së i cili iu përgjigj përpjekjes për vrasje dhe dy agjentë të FBI-së të përfshirë në mbajtjen dhe ndjekjen penale të Routh.

Një burrë dhe një grua që ia identifikuan veten BBC-së si fëmijët e Routh, e ndoqën seancën nga pjesa e prapme e sallës së gjyqit.