BOTA, 8 Qershor 2024, 16:25

Zgjedhjet në PE/ Mitingu final i Von der Leyen: Ekstremistët duan shkatërrimin e BE

Zgjedhjet në PE/ Mitingu final i Von der Leyen: Ekstremistët duan

Unioni Kristian-Demokrat gjerman dhe ai Kristian-Socialist mbajtën mitingun final përpara zgjedhjeve euro-parlamentare në landin jugor të Bavarisë. Ai u ndoq nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që është anëtare e CDU-së.

Ajo u tha të pranishmëve se “ekzistenca e Evropës së sotme është një dhunti”, por paralajmëroi se blloku po sfidohet si kurrë më parë nga populistët, ekstremistët dhe demagogët.

“Ne qëndruam të bashkuar, luftuam së bashku. Prioritetet tona janë prioritetet e duhura: prosperiteti, siguria dhe demokracia. Por këto kanë qenë të mundura vetëm sepse ju luftuat shumë për Evropën tonë. Kjo na tregon drejtimin për 5 vitet e ardhshme dhe ne jemi krenarë për këtë”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Ajo kritikoi partitë ekstremiste si AfD-në në Gjermani dhe Grumbullimin Kombëtar në Francë, duke i akuzuar se po përpiqen të shkatërrojnë Evropën. Von der Leyen synon për një mandat të dytë në krye të Komisionit. Sondazhet sugjerojnë se Partia Popullore Evropiane, ku ajo aderon, do të jetë grupi më i madh në PE pas zgjedhjeve. Por asaj do t’i duhet mbështetja e grupeve të tjera nëse do që të mbetet presidente. Në 2019-n, ajo e siguroi këtë post me një mazhorancë prej 9 votash.