BOTA, 6 Maj 2022, 16:01

Zgjedhjet lokale trondisin konservatorët në Britani, projeksionet tregojnë se laburistët janë shumicë në rang kombëtar

Zgjedhjet lokale trondisin konservatorët në Britani, projeksionet
Boris Johnson

Në 5 maj janë mbajtur zgjedhjet lokale në Britani, ku rezultatet tregojnë se konservatorët kanë pësuar humbje të konsiderueshme, me mbi 340 këshilltarë më pak se zgjedhjet e shkuara. 

Projeksioni i votës kombëtare, tregon se laburistët janë shumicë. 

Sipas projeksioneve të BBC, Konservatorët kanë 30% të votës në rang kombëtar, Laburistët 35%, Liberal Demokratët 19% dhe partitë e tjera 16%. 

Projeksionet e përqindjes së votave në rang kombëtar, janë të rëndësishme edhe pse zgjedhjet lokale nuk janë e njëjta gjë si zgjedhjet e përgjithshme. Megjithatë, ato tregojnë se laburistët do të kishin shumicën, çka jo domosdoshmërisht do të thotë se mund të formonin qeverinë, por tregon një përmirësim të tyre me zgjedhjet e shkuara. 

Partia Konservatore duket se ka humbur 6 pikë nga zgjedhjet e vitit të kaluar. 

Analistët vlerësojnë se skandalet brenda partisë, me thyerjen e rregullave të pandemisë nga Johnson dhe eksponentë të tjerë, si edhe rritja e çmimeve dhe kosto e jetesës, janë faktorë që kanë ndikuar në këto zgjedhje.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Angli

Konservatorët kanë humbur 341 këshilltarë dhe kontrollin e dhjetë komunave. 

Laburistët kanë rikuperuar 52 këshilltarë, me disa fitore kyçe në Londër, por me një progres më të ngadaltë në zonat e tjera. Ata kanë fituar kontrollin në 5 komuna, krahasuar me zgjedhjet e shkuara. 

Liberal Demokratët kanë arritur të shtojnë 191 këshilltarë dhe tre komuna, me një rritje të konsiderueshme në këto zgjedhje. 

Të Gjelbërit gjithashtu kanë arritur një performancë shumë të mirë, duke shtuar 60 këshilltarë. 

Laburistët  kanë arritur të marrin tre bashki të cilat historikisht kanë qenë të drejtuara nga konservatorët. Bëhet fjalë për Westminster, të kontrolluar nga konservatorët që prej vitit 1964, Wandsworth, e drejtuar prej tyre që prej 1978 dhe Barnet të cilën laburistët e fitojnë për herë të parë.