BOTA, 22 Maj 2024, 17:49

Vendimi surprizë! Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme në 4 Korrik

Vendimi surprizë! Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në 4 korrik të këtij viti. Njoftimi i papritur u bë nga kryeministri, Rishi Sunak, pas shumë spekulimesh për datën e zgjedhjeve. 

Kujtojmë se Lord Cameron, Sekretari i Punëve të Jashtme ndërpreu vizitën në Shqipëri, për t'u kthyer në mbledhjen e kabinetit, ku u diskutua data e zgjedhjeve. 

Konservatorët janë për momentin mbrapa në sondazhe me rivalët e tyre direkt, laburistët, me rreth 20 pikë, ndaj vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në korrik u interpretua si surprizues. Brenda qarqeve të Partisë Konservatore, vendimi është parë me habi, pasi zgjedhjet priteshin në vjeshtë. 

Mendohet se Sunak e ka marrë vendimin, për shkak të uljes së inflacionit dhe rritjes ekonomike, që mund ta favorizojnë, ndërkohë që nuk pritet ndonjë zhvillim tjetër që do të favorizonte konservatorët. 

Temat kryesore që pritet ta dominojnë periudhën para zgjedhore, janë rritja e kostos së jetesës, emigrancioni dhe kriminaliteti. 

Zgjedhjet e fundit lokale, rezultuan një disfatë e thellë për konservatorët dhe pritshmëritë janë të zymta për ta. 

Lideri i laburistëve, Sir Keir Starmer, ka deklaruar se janë "plotësisht gati" për zgjedhjet.

Parlamenti do të vijojë punimet deri në fund të këtij muaji dhe më pas do të shkrihet, për të nisur fushata elektorale në mbarë vendin.