BOTA, 1 Gusht 2023, 14:48

UNESCO pritet të fusë Venecian pjesë të listës së vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, ja arsyeja

UNESCO pritet të fusë Venecian pjesë të listës së

Venecia e njohur ndryshe si “La Serenissima”, që përkthehet “shumë i qetë”, duket se këtë emër po e humbet dita-ditës. Këtë e thotë edhe UNESCO së fundmi në një raport të publikuar.

Në këtë raport të publikuar propozohet që Venecia të bëhet pjesë e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.

Sipas UNESCO-s, qyteti turistik italian është në rrezik të dëmtimit të pakthyeshëm nga turizmi i vazhdueshëm, mbizhvillimi dhe rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike.

Sipas agjencisë nëse Venecia bëhet pjesë e kësaj liste do të mund të ruajë më mirë infrastrukturën dhe thesaret e trashëgimisë për të ardhmen.

Ndërkombëtarja “Reuters” raporton se një zëdhënës i Venecias tha se ata do ta lexojnë me kujdes propozimin. Ata shtuan se më pas raporti do të diskutohet me qeverinë italiane.

Raporti i UNESCO-s thotë se autoritetet italiane kanë pasur mungesë të vizionit strategjik për të zgjidhur problemet, me të cilat përballet një nga qytetet më piktoreske të Italisë. Kjo është një goditje për autoritetet, të cilët akuzohen se nuk mbrojnë qytetin historik dhe lagunën përreth.

Futja e Venecias në listën e rrezikut ishte propozuar nga UNESCO rreth 2 vite më parë, por u shmang në momentin e fundit për shkak të disa masave emergjente të miratuara nga qeveria italiane.