BOTA, 5 Tetor 2022, 19:51

Ukrainë, përpjekje për të rindërtuar shkollat e shkatërruara

Ukrainë, përpjekje për të rindërtuar shkollat e

Miliona nxënës ukrainas po rikthehen në shkolla, ndërsa sirenat që paralajmërojnë për sulme ajrore ndërpresin orët e mësimit. Më shumë se 2 mijë shkolla janë shkatërruar në të gjithë vendin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze ishte në fshatin Bohdanivka pranë Kievit, ku forcat ruse shkatërruan shkollën dhe kopshtin e fëmijëve.

Fshati Bohdanivka në Ukrainë ishte nën pushtimin rus për 20 ditë. Forcat ruse e kthyen shkollën dhe kopshtin e fëmijëve në një bazë ushtarake dhe spital. Kur ushtria ukrainase erdhi për të çliruar fshatin, rusët i vunë zjarrin objekteve duke i shkatërruar plotësisht.

Duke ecur mes rrënojave, aty ku ka punuar për shumë vite, drejtoresha e shkollës kujton kohën kur iu desh të largohej së bashku me vajzën për të shpëtuar nga forcat ruse.

“Shkolla dhe kopshti i fëmijëve në një fshat, është zemra e gjithçkaje. Pra, kjo ishte gjëja më e dhimbshme që ka ndodhur në fshatin tonë. Kur mësuam se shkolla kishte marrë flakë, shpresuam se disa pjesë të saj do t’i shpëtonin zjarrit. Por shpejt mësuam se nuk kishte mbetur asgjë nga shkolla”, tregon për Zërin e Amerikës, Ludmyla Deyko, drejtoresha e shkollës.

Duke qëndruar në vendin ku dikur ishte zyra e saj, ajo tregon se sa e zhvilluar ishte shkolla që drejtonte dhe se ëndërron t’i rikthejë nxënësit e saj. Ajo mezi pret që shkolla të rindërtohet sa më shpejt.

Më shumë se 300 nxënës të këtij fshati janë kthyer për vitin e ri shkollor dhe autoritetet lokale po përpiqen të krijojnë normalitet për jetën e këtyre fëmijëve.

Olexandr Kutzenko, i cili mbikëqyr sisitemin arsimor, thotë se të gjithë fëmijët e këtij fshati kanë rifilluar shkollën në objektet e tjera që janë afër.

“Në këtë kohë jemi duke punuar në rindërtimin e objektit. Ne e kuptojmë se vendi është në luftë dhe nuk ka para të mjaftueshme, ndaj shpresojmë në ndihmë nga investitorët për të rindërtuar shkollën”, thotë ai.

Si zgjidhje e përkohshme, një qendër kulturore do të kthehet në shkollë. Disa organizata të shoqërisë civile, të drejtuara nga ish-ministrja e Arsimit Hanna Novosad, po ndihmojnë me këtë projekt dhe në projekte të tjera në mbarë vendin.

“Rusia po bën luftë, jo vetëm kundër popullit ukrainas, por edhe kundër sistemit arsimor. Nëse shikoni shkallën e shkatërrimit, është e madhe dhe është vërtet e vështirë të mos shikoni se ata po shkatërrojnë qëllimisht shkollat tona. Më shumë se 2000 shkolla në mbarë vendin janë dëmtuar dhe ka qindra fshatra si ky, ku nuk ka mbetur asnjë shkollë dhe nuk ka akses në arsim. Dhe ata e bëjnë këtë në mënyrë shumë të qartë për arsye ideologjike gjithashtu”, thotë ajo.

Pavarësisht shkatërrimit, mjediset ku do të zhvillohet mësimi për fëmijët po rindërtohen.

“Ne po punojmë edhe në të ashtuquajturën hapësirë mësimore dixhitale. Por kjo këtu do të jetë një hapësirë për fëmijët që jetojnë në këtë fshat, ku do të kenë qasje në pajisjet që vijnë brenda javës së ardhshme, ku do të kenë qasje në internet dhe do të mund të punojnë vetëm ose të kenë mësimet e tyre online .”

Fëmijët dhe mësuesit e këtij fshati janë të etur për të nisur aty ku e kanë lënë dhe për të rikthyer jetën në komunitet. /VOA