BOTA, 4 Tetor 2022, 19:30

Kundërofensiva ukrainase, Kievi rimerr territorin e aneksuar nga Putini

Kundërofensiva ukrainase, Kievi rimerr territorin e aneksuar nga Putini

Ukraina po përparon me shpejtësi të madhe në dy fronte, në jug dhe lindje të vendit, ndërsa trupat rusë po tërhiqen me ritme të shpejta.

Trupa ukrainas kanë rimarrë në kontrollin e tyre më shumë territor në rajonet e aneksuara ilegalisht nga Rusia. Përparimi ukrainas duket qartë nga harta e publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila ka konfirmuar humbje të konsiderueshme në rajonin e Kherson të Ukrainës.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Kherson konfirmuan avancimin ukrainas, ndërsa theksuan se forcat e Moskës janë në mbrojtje. Trupat ukrainase u zhvendosën gjithashtu drejt Luhanskut të kontrolluar nga Rusia në lindje, raporton abcnews.al.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se “ka vendbanime të reja të çliruara në disa rajone”. Gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes, presidenti Zelensky tha se “luftimet e ashpra vazhdojnë në shumë zona”, por ai nuk dha detaje.

Në jug, Vladimir Saldo, kreu i distriktit të imponuar nga Rusia në Kherson, pranoi se forcat ukrainase kishin arritur pranë Dunchany, një qytet në lumin Dnieper, rreth 30 kilometra në jug të vijës së mëparshme të frontit. Sipas raporteve ruse, ukrainasit tani kanë rimarrë edhe Dunçanin.

Por përfaqësuesi i shtypit i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, pranoi se “duke pasur forca të blinduara superiore, armiku arriti të depërtonte thellë, duke thyer vijën mbrojtjese”, në bregun perëndimor të Dnieper.

Trupat ukrainase u zhvendosën gjithashtu drejt Luhanskut, në Ukrainën lindore, e cila kontrollohet nga Rusia.

Ditët e fundit ata kanë çliruar pothuajse të gjithë provincën e Kharkiv, një përparim mbresëlënës duke qenë se në pak ditë Rusia ka humbur të gjithë territorin që kishte fituar në javët e para të luftës.

Përparimi ukrainas me dy fronte po krijon më shumë dhimbje koke për Rusinë sesa mund të përballojë, tha një zyrtar perëndimor për The Washington Post në kushte anonimati.