BOTA, 16 Prill 2022, 18:49

Ukraina e shqetësuar nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa

Ukraina e shqetësuar nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa

Ushtria e Ukrainës tha të shtunën se ekziston një kërcënim nga sulmet me raketa ruse kundër vendit, ndërsa ushtria ruse po përqendron përpjekjet në zgjerimin e kontrollit në pjesën lindore të Ukrainës. Ndërkohë, sot në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime të forta në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit.

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Shputun tha se ushtria ruse ka përqendruar deri në 22 grupe taktike ushtarësh në zonën e Izyumit.

“Përpjekjet kryesore të armikut janë të përqendruara në rigrupimin dhe forcimin e trupave të tij, vazhdimin e bllokadës së pjesshme të qytetit të Kharkivit dhe sulmet me artileri”.

Rusia gjithashtu vazhdon të kryejë sulme kundër qyteteve të Popasnaya-s dhe Rubizhnoye-s në lindje të vendit dhe po përpiqet të marrë nën kontroll të plotë qytetin e Mariupolit, tha ai.

"Në Donetsk dhe Tavryisk, ushtria ruse po përpiqet të ruaj kontrollin në territoret e pushtuara. Ata po përforcojnë pozicionet e tyre ushtarake, duke dislokuar më shumë trupa dhe pajisje ushtarake atje. Ata po përpiqen të përmirësojnë pozicionet taktike dhe po vazhdojnë bombardimet në shumicën e drejtimeve."

Ndërkohë, në Kiev dhe qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën, në orët e para të mëngjesit u dëgjuan shpërthime.

Sulmet vijnë pas humbjes nga Rusia të lufanijes kryesore të saj. Ukraina konfirmoi të premten se “Moskva” ishte goditur nga dy raketa ukrainase.

Zëdhënësja e ushtrisë ukrainase për operacionet në jug të vendit, Natalia Homeniuk nuk dha detaje të operacionit, por tha se sulmi u krye nga forcat ukrainase.

"Është e vërtetë që ka patur një operacion dhe sulm kundër një grupi të anijeve ruse. Në këtë operacion është goditur luftanija më e sofistikuar e marinës ruse në Detin e Zi, “Moskva”. Goditja rezultoi në shpërthimin e municionit në bordin e luftanijes ruse”, tha ajo.

Luftanija që kishte emrin e kryeqytetit të Rusisë, Moskës, u fundos të enjten ndërsa po tërhiqej drejt një porti rus, pasi kishte pësuar dëme të mëdha nga goditja. /VOA

Moska hodhi poshtë zërat se luftanije ishte sulmuar, duke thënë vetëm se një zjarr kishte shkaktuar shpërthimin e municionit në bordin e saj.

Shkatërrimi i luftanijes “Moskva” përfaqëson një fitore të rëndësishme për Ukrainën dhe një humbje simbolike për Rusinë.

Fundosja e saj zvogëlon fuqinë ushtarake të Rusisë në Detin e Zi dhe simbolizon fatin e Moskës në tetë javë sulm, i parë gjerësisht si një gabim historik pas tërheqjes ruse nga rajoni i Kievit dhe pjesa më e madhe e Ukrainës veriore.