BOTA, 8 Shkurt 2026, 11:01

Trump shpall “fitoren” ndaj inflacionit, por amerikanët ende ndiejnë shtrenjtimin

Trump shpall “fitoren” ndaj inflacionit, por amerikanët ende

Presidenti amerikan Donald Trump po e paraqet veten si zëri kryesor i republikanëve për koston e jetesës në një vit zgjedhor, por një analizë e agjencisë Reuters mbi fjalimet e tij tregon një kontrast të fortë mes deklaratave politike dhe realitetit ekonomik të përditshëm.

Sipas Reuters, në pesë fjalime për ekonominë që nga dhjetori, Trump ka deklaruar afro 20 herë se inflacioni është mposhtur dhe rreth 30 herë se çmimet po bien. Megjithatë, të dhënat ekonomike dhe përvoja e qytetarëve tregojnë se presioni mbi buxhetet familjare vijon. Inflacioni ka qëndruar rreth 3% gjatë vitit të fundit, ndërsa çmimet e disa produkteve bazë janë rritur ndjeshëm: mishi i grirë është shtrenjtuar me 18% dhe kafeja e bluar me 29% që prej ardhjes së Trump në detyrë.

Reuters vëren se pjesë e madhe e fjalimeve të presidentit devijon nga tema ekonomike. Gati gjysma e kohës i kushtohet çështjeve të tjera, kryesisht emigracionit dhe sulmeve ndaj kundërshtarëve politikë, çka sipas strategëve republikanë krijon një “hendek besueshmërie” për Trump dhe Partinë Republikane, përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Vetëm në dy raste Trump ka pranuar se çmimet mbeten të larta, duke ia atribuar fajin administratës së mëparshme. Ai ka pohuar se situata po përmirësohet, por sondazhet tregojnë se shumica e votuesve janë ende të pakënaqur me mënyrën si po menaxhohet ekonomia.

Në anën tjetër, presidenti ka prezantuar disa masa si uljet e taksave që kanë hyrë në fuqi së fundmi, heqjen e taksave për bakshishet dhe orët shtesë, si dhe propozime për uljen e normave të interesit dhe çmimeve të barnave. Sipas Reuters, ekonomistët presin që disa prej këtyre masave të kenë efekt afatmesëm, por paralajmërojnë se ato nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në koston e jetesës deri në zgjedhje.

Një sondazh Reuters/Ipsos tregon se vetëm 35% e amerikanëve e miratojnë mënyrën se si Trump po e menaxhon ekonominë, një shifër më e ulët krahasuar me fillimin e mandatit të tij. Kjo, sipas analistëve, e bën ekonominë një nga pikat më të ndjeshme politike për Shtëpinë e Bardhë në muajt në vijim.