TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pesë shtetas italianë janë mes viktimave të dy aksidenteve të ndara në Nepal, në vargmalet e rajonit të Himalajeve. Një stuhi e fuqishme dëbore dhe një ortek kanë shkaktuar vdekjen e nëntë personave gjithsej, pesë prej të cilëve italianë, që ndodheshin atje për ekspedita ngjitjeje.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar mes të vdekurve Alessandro Caputo dhe Stefano Farronato, të cilët po përpiqeshin të ngjiteshin në malin Panbari (6.887 metra). Të dy u zunë nga një stuhi dëbore, ndërsa ndodheshin në Kampin 1, në lartësinë 5 mijë metra mbi nivelin e detit.
Tre alpinistët e tjerë – Paolo Cocco, Marco Di Marcello dhe Markus Kirchler – humbën jetën pasi u përfshinë nga një ortek gjatë ngjitjes në malin Dolma Khang, së bashku me një gjerman, një francez dhe dy guida nepaleze.
Pas disa orësh kërkimesh, trupi i Marco Di Marcello, biolog 37-vjeçar nga Teramo, u gjet nga ekipet e shpëtimit, ndërsa Cocco, fotograf dhe ish-nënkryetar bashkie në Fara San Martino, u identifikua nga autoritetet vendase.
Në total, shtatë persona humbën jetën në kampin bazë të Yalung Ri, në Nepalin qendror, në një lartësi prej 5.630 metrash: tre italianë, dy nepalezë, një gjerman dhe një francez.
Një nga dëshmitarët, sherpa Nima Gyalzen, ka treguar se mbijetuarit pritën më shumë se 24 orë për ndihmë, duke kritikuar vonesat e rënda të sistemit të emergjencave nepaleze.
“Shumë nga miqtë tanë qanin dhe luteshin për ndihmë”, tha ai për Himalayan Times, duke shpjeguar se fluturimet e shpëtimit kërkojnë miratime nga disa ministri, gjë që shkakton vonesa të rënda.
Udhëheqësit e organizatave alpinistike kanë kërkuar reforma urgjente në sistemin e shpëtimit malor.
Sipas presidentit të Nepal Mountaineering Association, Phur Gyalje, është “jetike që procedurat e shpëtimit të përshpejtohen në situata emergjente në male”.
Një tjetër italian, Valter Perlino, udhëheqës i një prej ekspeditave, arriti të mbijetojë pasi kishte qëndruar në kampin bazë për shkak të një problemi në këmbë. Sipas bashkëshortes së tij, Gloriana Salvai, ai mbajti kontakt radio me Caputon dhe Farronaton deri të dielën në mbrëmje, kur ata ishin ende në tendë gjatë stuhisë.
Të hënën, ai dha alarmin dhe mori pjesë vetë në kërkime, ku gjeti kampin e shkatërruar dhe trupat e dy bashkëudhëtarëve të tij.