BOTA, 1 Korrik 2022, 18:25

Të paktën 19 të vrarë në një sulm rus afër qytetit Odesa

Të paktën 19 të vrarë në një sulm rus afër

Autoritetet ukrainase thanë se sulmet ruse me raketa në një zonë bregdetare pranë qytetit port ukrainas të Odesës, vranë të paktën 19 persona, përfshirë dy fëmijë, një ditë pasi forcat ruse u tërhoqën nga një ishull strategjik i Detit të Zi.

Pamjet pas sulmit të para agimit të së premtes tregojnë mbetjet e ndërtesave të djegura në qytetin e vogël Serhiivka, që ndodhet rreth 50 kilometra në jugperëndim të Odesës. Raportet ukrainase thonë se raketat goditën një ndërtesë shumëkatëshe apartamentesh dhe një zonë turistike.

Zyrtari i presidencës ukrainase, Kirill Tymoshenko, tha se 19 njerëz humbën jetën, përfshirë dy fëmijë. Një zëdhënës i qeverisë rajonale të Odesës, Serhiy Bratchuk, tha në rrjetin Telegram se 30 të tjerë janë plagosur.

Sulmet ajrore pasuan tërheqjen e forcave ruse nga ishulli i gjarpërinjve të enjten, një veprim që pritej të zbuste kërcënimin ndaj Odesës aty pranë. Ishulli ndodhet përgjatë një vije të ngarkuar të transportit detar. Rusia mori ishullin nën kontroll në ditët e para të luftës me shpresën për ta përdorur atë si terren për një sulm në Odesa. /VOA