TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Fshihen 453 milionë euro borxhe të vjetra të bizneseve. Administrata Tatimore ka njoftuar se vijon që të rritet bilanci i përfitimeve nga zbatimi i Ligjit të Faljes. Ndërsa në total kanë përfituar 220 mijë e 455 tatimpagues deri më tani ndërsa procesi vijon, duke u krijuar tatimpaguesve mundësi për të lehtësuar barrën e detyrimeve të prapambetura.
Nëse shohim të dhënat e administratës tatimore borxhet më të mëdha të krijuara dhe që janë falur kanë rezultuar në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me rreth 140.5 milionë euro, të ndjekura nga detyrimet për Tatimin mbi Fitimin, që kapin vlerën e rreth 138.1 milionë eurove.
Një tjetër kategori me peshë në borxhet e falura rezultojnë edhe detyrimet nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me rreth 67 milionë euro, ndjekur më pas nga tatimi i mbajtur në burim, me rreth 26.8 milionë euro.
Ligji i faljes u zbatua me disa fasha ku borxhet më të vjetra se 10 vite u fshinë automatikisht .Ndërkohë për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 2015–2019, subjekteve u dha mundësia e pagesës së 50% të detyrimit kryesor dhe nga ana tjetër mund të përfitonin fshirjen 50% të borxhit të mbetur, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.
Aktualisht për të përfituar nga ligji i faljes bizneset duhet të kryejnë 75% pagesë të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, për të përfituar faljen e 25% të detyrimeve të mbetura dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.
Skema e faljes fiskale është një nga nismat më të mëdha të ndërmarra vitet e fundit për pastrimin e stokut të detyrimeve të vjetra tatimore dhe për lehtësimin e barrës financiare të bizneseve dhe individëve.
Ligji përjashton nga fshirja e borxheve subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore si dhe bizneset që janë në proces hetimi ose gjykimi për vepra të tilla.