BOTA, 9 Prill 2023, 08:28

Stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit, SHBA i bën thirrje Kinës që të vetëpërmbahet

Stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit, SHBA i bën thirrje Kinës

Kina ka kryer stërvitjeve detare rreth Tajvanit, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten pas vizitës së Presidentes Tsai Ing-wen në SHBA javën e kaluar.

Gjatë stërvitjeve, të cilat Pekini i ka quajtur një “paralajmërim të ashpër” për Taipei, janë përdorur forcat detare dhe ajrore për të simuluar rrethimin e ishullit.

Tajvani deklaroi se dhjetëra avionë kinezë fluturuan rreth ishullit të dielën, ndërsa 9 anije u vunë re gjithashtu.

Stërvitjet raportohet se do të vazhdojnë deri të hënën. Zyrtarët në Taipei akuzuan Pekinin se përdori vizitën e Tsai, ku ajo u takua me kryetarin e Dhomës së SHBA-së, Kevin McCarthy,  si një “justifikim për të kryer stërvitje ushtarake, të cilat kanë dëmtuar seriozisht paqen dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.

Të shtunën, një nga anijet e Kinës qëlloi një plumb nga kuverta e saj ndërsa lundronte pranë ishullit Pingtan, pika më e afërt e Kinës me Tajvanin, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit i kanë kërkuar Kinës që të mos reagojë tepër ndaj takimit, i cili u zhvillua në Kaliforni, dhe kanë bërë thirrje për “përmbajtje dhe asnjë ndryshim të status quo-së”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA po “monitoron nga afër veprimet e Pekinit” dhe këmbënguli se Amerika ka “burime dhe aftësi të mjaftueshme në rajon për të siguruar paqen dhe stabilitetin dhe për të përmbushur angazhimet tona të sigurisë kombëtare”.

SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Taipein në favor të Pekinit në 1979, por është e detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet për t’u mbrojtur.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë në disa raste se SHBA do të ndërhynte nëse Kina do të sulmonte ishullin.