BOTA, 26 Tetor 2022, 09:31

SHBA-ja zotohet: Përgjigje “të pashembullt” nëse Koreja e Veriut kryen test bërthamor

SHBA-ja zotohet: Përgjigje “të pashembullt” nëse

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar për një përgjigje në shkallë “të pashembullt”, nëse Koreja e Veriut kryen testin e shtatë të bombave bërthamore.

Uashingtoni dhe aleatët besojnë se Koreja e Veriut mund të rinisë testimin e bombave bërthamore, për herë të parë që nga viti 2017.

“Ne u pajtuam se një përgjigje në shkallë të pashembullt do të ishte e nevojshme nëse Koreja e Veriut kryen testimin e shtatë bërthamor”, tha në një konferencë për media në Tokio zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong.

Cho po fliste përkrah homologëve të tij nga Japonia dhe SHBA-ja, zëvendësministrin e Jashtëm Takeo Mori, dhe zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit, Wendy Sherman.

“Ne i bëjmë thirrje [Koresë së Veriut] që të përmbahet nga provokimet e mëtejme”, tha Sherman, duke shtuar se ky shtet bën veprime “të pamatura dhe jashtëzakonisht destabilizuese” për rajonin.

Koreja e Veriut ka testuar një numër të paprecedentë të armëve gjatë këtij viti, duke lëshuar dhjetëra raketa balistike, përfshirë edhe një që fluturoi mbi Japoni.

I zemëruar nga aktivitetet ushtarake të Koresë së Jugut, Phenjani javën e kaluar lëshoi një breshëri plumbash nga bregdeti i tij, në shenjë paralajmërimi për fqinjin e tij në jug.