BOTA, 25 Tetor 2022, 14:52

Britania në krizë/ Vështirësitë me të cilat do të përballet Rishi Sunak janë të jashtëzakonshme

Britania në krizë/ Vështirësitë me të cilat do
Rishi Sunak

Mbretëria e Bashkuar tashmë ka një kryeministër të ri, i treti brenda tre muajve.
Rishi Sunak u caktua në detyrë nga deputetët konservatorë, pasi ishte kandidati i vetëm për të zëvendësuar Liz Truss. Në rradhët e konservatorëve ka shpresë se Sunak do të arrijë të rikthejë stabilitetin.

Opozita nuk duket edhe aq optimiste me laburistët që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që britanikët të zgjedhin me votë liderin që do t'i udhëheqë. 

Detyra që kryeministri i ri ka marrë, vjen në një kohë kritike për ekonominë britanike. Ai e pranoi këtë në fjalimin e parë, i cili ishte i kujdesshëm, por edhe një përpjekje për të rikthyer besimin te ekonomia dhe vendi. 

"Në këto momente, vendi ynë po përballet me një krizë të thellë ekonomike", deklaroi Sunak. 

Sunak tha se janë bërë gabime në të shkuarën, të cilat zotohet se do ti korrigjojë. 

Kryeministri i referohet vendimit kontrovers, i cili më pas rezultoi katastrofal, për të ulur taksat gjatë krizës ekonomike, kur inflacioni në MB ka kapur majat. 

Prezantimi i këtyre politikave fiskale gjatë mini buxhetit, nga Kwasi Kwarteng, ish Kancerlari i Thesarit i emëruar nga Truss, solli "shembjen" e paundit dhe detyroi ish kryeministren të bëjë disa kthesa turpëruese deri në dorëheqje. 

Sunak ka treguar se di të jetë efektiv në kohë krize, siç ndodhi gjatë pandemisë kur ai ishte Kancelar i Thesarit dhe arriti të implementojë skemën e ndihmës për miliona persona në MB. Megjithatë, e gjithë ndodhi nën drejtimin e Boris Johnson, i cili gjithashtu ka treguar se në kohë krizash, ia ka dalë të ketë sukses. 

Çfarë parashikojnë planet e Sunak?

Gjatë fushatës së shkuar për zgjedhjen e kreut të konservatorëve, ai pati një qasje krejt të ndryshme nga Truss. 

Sunak është pro uljes së taksave, por vetëm kur të ulet inflacioni. Ai vlerëson se në kushtet ku ndodhet Mbretëria e Bashkuar, ku ekonomia u "dërrmua" nga pandemia dhe tashmë kur lufta në Ukrainë po shkakton pasoja në rritjen galopante të çmimeve, ulja e taksave nuk është një ide e mirë. Ky është një sinjal se taksat ka gjasa të rriten. 

Lidhur me krizën e rritjes së çmimeve, ai ka deklaruar se është i gatshëm të shpenzojë "disa miliardë paund" për të ndihmuar familjet në vështirësi, por ende është e paqartë se çfarë forme mund të kenë këto skema. 

Lidhur me emigracionin Sunak ka premtuar forcim të kufijve. Këtë gjë e përmendi si prioritet edhe në fjalimin e parë. Ai ka mbështetur politikën kontroverse për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda. Gjithashtu Sunak ka hedhur idenë e krijimit të një limiti për numrin e refugjatëve që mund të marrë MB. 

Lidhur me rendin, Sunak ka deklaruar se policia duhet të fokusohet në luftimin e krimit "të vërtetë" dhe jo të shpenzojë kohë duke luftuar "shakatë e këqija në Twitter". 

Në fjalimin e sotëm kryeministri u zotua të vijojë mbështetjen për Ukrainën deri në "konkludimin e luftës". 

Ai ka premtuar gjithashtu reformimin ose anullimin e ligjeve të BE, apo atyre burokratike, të cilat kanë mbetur ende në legjislacionin e MB.