BOTA, 2 Mars 2022, 16:19

“S’do dërgojmë trupa për të luftuar forcat ruse në Ukrainë”- SHBA-të të vendosura për rivlerësimin e sanksioneve ndaj Rusisë: Gjithçka është në tryezë

“S’do dërgojmë trupa për të luftuar forcat ruse

Zëvendës presidentja amerikane, Kamala Harris ka deklaruar se SHBA-të po vlerësojnë sanksionet ndaj Rusisë, duke shtuar se “gjithçka është në tryezë”. Megjithatë, vazhdon të theksojë se Amerika nuk do të dërgojë trupa për të luftuar forcat rusë në Ukrainë.

“Ajo që do të vazhdojmë të bëjmë është të qëndrojmë të vendosur së bashku me aleatët tanë në drejtim të rivlerësimit të asaj që po bëjmë me sanksionet. Gjithçka është në tryezë”, tha Harris për “TODAY Show” të NBC.

Më pas vazhdoi: “Ajo që ne nuk do të bëjmë dhe duhet thënë gjithashtu, siç e ka thënë vazhdimisht edhe Presidenti, është që nuk do të vendosim trupa amerikane në Ukrainë për të luftuar rusët në tokë ose në ajër. Por ne jemi të vendosur për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”

Harris tha për “Good Morning America” se SHBA-të po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po vlerësojnë nëse ka pasur shënjestrim të qëllimshëm të civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe po e monitorojmë. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se nëse ka ndonjë shënjestrim të qëllimshëm të civilëve, do ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar. Pra, kjo është një çështje që ne të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje. Është mizore dhe është një shkelje e të gjitha standardeve dhe parimeve që ne, veçanërisht si vende të NATO-s i marrim seriozisht në drejtim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo kombi”, u shpreh zv.presidentja amerikane për ABC.

Ajo u shpreh se SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë humanitare si dhe ndihmë për sigurinë për popullin e Ukrainës.

“Rubla është në rënie të lirë. Bursa ruse është mbyllur. Kështu që ne e dimë se ka ndikim. Ajo që do të tregojë historia është se Vladimir Putin në thelb përfundoi duke forcuar NATO-n dhe duke dobësuar Rusinë”, tha zëvendëspresidentja.