BOTA, 24 Mars 2022, 14:17

Sanksionet e forta të Perëndimit/ Drejtoresha e Bankës Qendrore e Rusisë dorëzon dorëheqjen! Putin bllokon kërkesën e saj

Sanksionet e forta të Perëndimit/ Drejtoresha e Bankës Qendrore e
Elvira Nabiullina dhe Vladimir Putin

Drejtoresha e bankës qendrore të Rusisë ka kërkuar te jepte dorëheqjen nga posti i saj prej disa javësh por presidenti rus Vladimir Putin e ka refuzuar kërkesën.

Elvira Nabiullina, e cila ka punuar ngushtë me Putinin për të formësuar politikën ekonomike të Rusisë për më shumë se dy dekada, u përpoq të largohej menjëherë pasi Kremlini urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Por Putin e bllokoi lëvizjen e saj dhe Nabiullina u emërua javën e kaluar për një mandat tjetër pesë-vjeçar në krye të bankës qendrore të Rusisë, shkruan Bloomberg.

Teksa pikëpamjet aktuale të Nabiullinës për luftën janë të paqarta, sanksionet e vendosura nga SHBA dhe vende të tjera kanë gjymtuar ekonominë ruse, kanë shkaktuar rënien e vlerës së rublës dhe e kanë vënë Rusinë në rrezik për të mos përmbushur detyrimet e saj të borxhit.

Çdo përpjekje e ardhshme nga Nabiullina për të lënë rolin e saj do të shihej si një tradhti ndaj Putinit, i cili është nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për të ndalur pushtimin.