BOTA, 6 Qershor 2023, 19:53

Rusia shkatërroi digën e madhe, Ukraina urdhëron evakuimin e banorëve në rajonin e Hersonit

Rusia shkatërroi digën e madhe, Ukraina urdhëron evakuimin e

Ukraina akuzoi Rusinë se ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia.

Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive. Kievi tha se 24 vendbanime janë përmbytur, pasi që, brenda pak orëve, niveli i ujit ishte rritur në disa zona për 10 deri në 12 metra.

Afër 17.000 banorë nga pjesa e lumit Dnjepër që kontrollohet nga Ukraina kanë nevojë të shpëtohen, tha zëvendësprokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Viktoria Lytvynova. Gjithashtu, 25.000 të tjerë në pjesën jugore të bregut të lumit – që është nën pushtimin rus – po ashtu janë në rrezik. Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 80 qyteza janë në rrezik nga vërshimet.

Sipas “Rel”, ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi këtë digë me qëllim për ta parandaluar kalimin e forcave ukrainase në lumin Dnjepër.

“Ky është një reagim histerik. Ata ishin të vetëdijshëm që kalimi i forcave të mbrojtjes [ukrainase] do të ndodhte dhe tentuan në këtë mënyrë të ndikojë te forcat e mbrojtjes ashtu që kalimi i Dnjeprit, të cilit iu frikësuan, nuk do të ndodhte”, tha zëdhënësi i komandës ushtarake në Ukrainën jugore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.

“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.

“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.