BOTA, 19 Shkurt 2022, 23:23

"Rusia po planifikon luftën më të madhe në Europë që prej vitit 1945"/ Boris Johnson paralajmëron pushtimin e Ukrainës

"Rusia po planifikon luftën më të madhe në Europë
Boris Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson, gjatë një interviste për BBC, ka deklaruar se Rusia po planifikon "luftën më të madhe në Europë që prej vitit 1945" dhe se "shenjat tregojnë që plani në njëfarë mënyre ka nisur". 

Sipas Johnson, të dhënat e inteligjencës tregojnë se Rusia po planifikon një pushtim të Ukrainës, duke rrethuar kryeqyetetin e vendit, Kiev. 

"Njerëzit duhet të kuptojnë, koston e madhe njerëzore që kjo do të sillte", deklaroi Johnson. 

Të dhënat e fundit të SHBA-ve, sugjerojnë se në kufirin e Ukrainës, Rusia ka deri në 190 mijë trupa. 

Zyrtarët e vendeve perëndimore, kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gati për të pushtuar Ukrainën dhe kjo gjë mund të ndodhë nga momenti në moment, por rusët e kanë mohuar një skenar të tillë, duke pretenduar se trupat e tyre po bëjnë stërvitje ushtarake. 

I pyetur nëse pushtimi rus mund të ndodhë nga momenti në moment, kryeministri Johnson deklaroi se "provat e tregojnë këtë gjë". 

"Janë të gjitha shenjat, që plani në njëfarë mënyrë ka nisur", tha ai për BBC.