BOTA, 19 Shkurt 2022, 15:43

“Largohuni menjëherë nga Ukraina”- Gjermania dhe Austria thirrje qytetarëve, Lufthansa pezullon fluturimet për në Kiev

“Largohuni menjëherë nga Ukraina”- Gjermania dhe Austria

Ministria e Jashtme gjermane u ka bërë thirrje të shtunën të gjithë shtetasve gjermanë që të largohen menjëherë nga Ukraina, pasi frika e Perëndimit për mundësinë e një pushtimi rus në Ukrainë mbetet ende reale.

“Janë paralajmërime kundër udhëtimit në Ukrainë. Shtetasve gjermanë u kërkohet të largohen nga vendi tani”, thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e saj në internet nga Ministria e Jashtme gjermane.

Një grup shtetesh të tjera u kanë kërkuar më parë qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.

Linja ajrore kryesore gjermane, Lufthansa njoftoi gjithashtu se po pezullonte fluturimet e caktuara për në dhe nga Kievi.

“Kjo ndikon në të gjitha nisjet e planifikuara nga e hëna, 21 shkurt deri më 28 shkurt 2022,” njoftoi Lufthansa.

Austria të shtunën gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të saj që të largohen “menjëherë” nga Ukraina, me përjashtim të atyre që aktualisht banojnë në Ukrainën perëndimore.