BOTA, 3 Maj 2023, 15:57

Rusët kopjojnë kinezët/ Habit kritiku i Kremlinit: Në burg më torturojnë me fjalimet e Putinit me volum të plotë

Rusët kopjojnë kinezët/ Habit kritiku i Kremlinit: Në burg

Alexei Navalny rikthehet në skenë. Aktivisti anti-Putin, aktualisht ndodhet në një burg në Melekhovo, për të vuajtur një dënim të dyfishtë prej 11 vitesh dhe ka publikuar nga pas hekurave një mesazh të ri në profilet e tij sociale.

Teksa qarkullojnë lajmet për gjendjen e përkeqësuar të shëndetit dhe janë ngritur dyshime se mund të jetë duke u helmuar, në Twitter, kundërshtari i Kremlinit tha se rojet e burgut kishin gjetur një metodë të re të "torturës psikologjike" kundër tij, e cila konsiston në detyrimin e tij të dëgjojë fjalimet e presidentit rus Vladimir Putin me volum të plotë.

Në këtë mesazh të ri nga burgu, Navalny zbulon formën më të fundit të "torturës psikologjike" që kanë zbatuar agjentët e kolonisë penale IK-6 në Melekhovë. Madje, prej disa ditësh fjalimet e Vladimir Putinit janë transmetuar nga altoparlantët në të gjithë ndërtesën.

"Shumë kohë më parë, lexova në disa histori detektivësh spiunësh se si ata torturonin të burgosurit duke luajtur me zë të lartë poezitë e Mao Ce Dunit. Me sa duket, dikush në burgun tonë duhet ta ketë lexuar edhe këtë libër", shkroi Navalny në ankesën e tij në Twitter.

Konkretisht, Navalny tregoi se po transmetohen deklaratat që presidenti rus ka bërë pas fillimit të luftës (operacion special, siç e përcakton vetë numri një në Kremlin) në Ukrainë.