BOTA, 12 Prill 2023, 14:15

"Qeni im është kryeshefi ekzekutiv i Twitterit", Elon Musk flet për BBC: Nuk ishte e lehtë të hiqja 6500 njerëz nga puna

"Qeni im është kryeshefi ekzekutiv i Twitterit", Elon Musk
Qeni i Elon Musk

Burri i dytë më i pasur në botë, Elon Musk, dha një intervistë befasuese për BBC-në me ç’rast bëri shaka duke deklaruar se Floki, qeni i tij i racës Shiba Inu, tani është kryeshefi i platformës së famshme Twitter, të cilën ai e bleu vitin e kaluar për një shumë prej 44 miliardë dollarësh.

“Unë nuk jam në krye të Twitterit. Qeni im është kryeshefi i platformës”, deklaroi Musk për televizionin e famshëm.

Komenti i tij i çuditshëm vjen pak muaj pasi miliarderi 51-vjeçar postoi disa fotografi të qenit të tij i veshur me kostum dhe kravatë, të cilat i shoqëroi me mbishkrimin: “Kryeshefi i ri i Twitterit është i mahnitshëm. Ai është shumë i zoti me numra”.

Babai i dhjetë fëmijëve, Elon Musk, në këtë intervistë të fundit po ashtu zbuloi se nganjëherë fle në zyrat e Twitterit, duke e shfrytëzuar divanin në një librari në të cilën nuk shkon askush.

Musk ka treguar për vështirësitë me të cilat përballet që ta drejtojë kompaninë.

Musk, që është njëri prej personave më të pasur në botë, ka pranuar se do ta shiste kompaninë po të vinte ndonjë blerës i duhur.

Musk, që drejton ehde kompaninë e veturave Tesla dhe po ashtu firmën e raketave SpaceX, kishte blerë “Twitterin” në tetor të vitit të kaluar për 44 miliardë dollarë.

Musk kur është pyetur nëse është pishman që bleu “Twitterin”, ka thënë: “Niveli i dhimbjes ishte ekstremisht i lartë, nuk ishte ndonjë festë e këndshme”.

Për kohën në këtë kompani deri tash, Musk, ka thënë se nuk ka qenë e mërzitshme, por ka pasur mjaft luhatje të emocioneve.

“Ka qenë mjaft situatë stresuese në muajt e fundit”, tha Musk, por ai shton se blerja e kompanisë ishte gjëja e duhur për të bërë.

Ai thotë se po ecën mjaft mirë, por se ka shumë punë.

Musk ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të shkurtojë stafin nga afro 8000 në 1500.

Largimi i shumë inxhinierëve që kur Musk e bleu kompaninë, kishte ngritur shqetësime për stabilitetin e platformës. Ai pranon se ka disa gabime, përfshirë edhe rënie të faqes. Por, ai thotë se ato rënie nuk kanë qenë të gjata dhe faqja po punon mirë.

Musk llogaritet se ka pasur rreth 190 miliardë dollarë. Sipas, renditjes së Forbesit, ai është njeri i dytë më i pasur në botë.

Në krye gjendet Bernard Arnault dhe familja e tij me pasuri mbi 210 miliardë dollarë.