TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Hamasi është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet vetëm për shkak të presionit ushtarak dhe diplomatik, duke theksuar se vendi i tij nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të grupit.
Ai përsëriti se Izraeli i ka rezistuar “presionit të madh” si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe nga brenda Izraelit për t’i dhënë fund luftës dhe për të pranuar kushtet e Hamasit. Ai tha se këmbëngulja e qeverisë së tij ka çuar në fazën aktuale të negociatave për lirimin e pengjeve.
Në deklaratat e tij, ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “mbështetjen e tij të fortë” dhe për pjesëmarrjen e SHBA-së në sulmet kundër programit bërthamor të Iranit. “Është e vërtetë që ne mund të arrijmë lirimin e të gjithë pengjeve pa u tërhequr nga Rripi i Gazës”, theksoi Netanyahu në anglisht, duke shtuar: “Me ndihmën e Zotit, kjo do të ndodhë shumë shpejt”.
Ai u zotua se të gjithë pengjet – të gjallë dhe të vdekur – do të kthehen në Izrael gjatë festës hebraike të Sukkot, e cila fillon më 6 tetor dhe zgjat deri më 13 të muajit. Kryeministri izraelit njoftoi gjithashtu se ka udhëzuar ekipin negociator, të udhëhequr nga Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, të udhëtojë për në Kajro për të finalizuar “detajet teknike” të marrëveshjes për lirimin e pengjeve.
“Qëllimi ynë, si dhe i miqve tanë amerikanë, është që negociatat të përfundojnë brenda pak ditësh”, tha ai. Netanyahu shtoi se në fazën e dytë të marrëveshjes, Hamasi do të çarmatoset dhe Rripi i Gazës do të çmilitarizohet. Ai paralajmëroi se kjo do të arrihet ose nëpërmjet veprimeve diplomatike ose me mjete ushtarake, nëse është e nevojshme.
Kujtojmë se Hamasi njoftoi dje se do t’i pranojë disa pjesë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së enklavës, por kërkon bisedime për shumë nga kushtet e tjera të marrëveshjes. Në një kopje të deklaratës, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, Hamasi e dha përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trumpit, pasi presidenti amerikan i kishte dhënë grupit militant palestinez afat deri të dielën për ta pranuar marrëveshjen.
Një çështje e rëndësishme për të cilën Hamasi nuk u shpreh është nëse do ta pranonte kushtin për t’u çarmatosur. Çarmatosja e grupit është kërkesë e Izraelit dhe SHBA-së, të cilën deri më sot Hamasi s’e ka pranuar. Në deklaratë, Hamasi tha se i “vlerëson përpjekjet arabe, islame dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, për shkëmbimin e të burgosurve dhe për hyrjen e menjëhershme të ndihmave”.
Ai tha se po njofton “miratimin për lirimin e të gjithë të burgosurve të pushtimit – si të gjallë, ashtu edhe trupat e pajetë – sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, me kushtet e nevojshme praktike për zbatimin e shkëmbimit”. Por, Hamasi shtoi: “Në këtë kontekst, lëvizja shpreh gatishmërinë e saj që menjëherë, përmes ndërmjetësuesve, të hyjë në bisedime për t’i shtjelluar hollësitë”.
Grupi tha, gjithashtu, se është i gatshëm “t’ia dorëzonte administrimin e Rripit të Gazës një organi të pavarur palestinez (teknokratësh), bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe të mbështetur nga shtetet arabe dhe islame”. Plani i Trumpit përcakton armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.