TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vlerësoi sot Izraelin për ndërprerjen e përkohshme të operacioneve të bombardimeve në Gaza, duke theksuar se pauza duhet të përdoret për të finalizuar një marrëveshje vendimtare për lirimin e pengjeve dhe paqen, sipas CNN.
Megjithatë, Trump paralajmëroi Hamasin se duhej të vepronte shpejt me planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, pasi çdo vonesë ose veprim që e bënte Gazën një kërcënim për sigurinë nuk do të tolerohej.
“E vlerësoj faktin që Izraeli ka ndaluar përkohësisht bombardimet, për t’i dhënë një shans përfundimit të marrëveshjes për lirimin e pengjeve dhe paqes,” shkruan ai në një postim në platformën e tij Truth Social.
“Hamas duhet të veprojë shpejt, përndryshe çdo gjë do të vihet në pikëpyetje,” shton ai.
“Nuk do të toleroj vonesa, të cilat shumë mendojnë se do të ndodhin, apo ndonjë rezultat ku Gaza të paraqesë sërish një kërcënim,” vijon ai. “Ta përfundojmë këtë, SHPEJT.”
Ai shton: “Të gjithë do të trajtohen me drejtësi!”
Deklarata e presidentit Trump vjen pas sulmeve ajrore, që shkaktuan vdekjen e 54 personave sot në enklavë, përfshirë 43 vetëm në Qytetin e Gazës.
Sulmet kanë vazhduar pavarësisht thirrjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, drejtuar Izraelit për të ndaluar bombardimet.
Plani i paqes me 20 pika, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, parashikon që të gjithë 48 pengjet e mbetura, nga të cilët besohet se 20 janë ende gjallë, të lirohen nga Hamasi brenda 72 orëve – nga momenti i pranimit të marrëveshjes.
Hamasi njoftoi dje në mbrëmje se e pranon planin në parim dhe se do të lirojë pengjet, por grupi kërkon negociata të mëtejshme për disa pika kyçe.