BOTA, 24 Maj 2023, 21:42

Përshkallëzimi tensioneve mes Uashingtonit dhe Penianit, SHBA vendos sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Përshkallëzimi tensioneve mes Uashingtonit dhe Penianit, SHBA vendos

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut.

Në listën e sanksioneve janë vendosur katër organizata dhe një individ për përfshirjen e tyre në fshehjen e fondeve dhe në aktivitete dashakeqe kibernetike, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Kim Sang Man dhe kompania për bashkëpunim të teknologjisë së informacionit, Chinyong, me seli në Korenë e Veriut u sanksionuan nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut, për shkak të aktivitetit të tyre në fushën e teknologjisë informative, tha Thesari.

Koreja e Veriut mbikëqyrë mijëra punëtorë të teknologjisë informative në mbarë botën, por shumica e tyre janë të vendosur në Kinë dhe Rusi, tha Thesari. Këta punëtorë “gjenerojnë të ardhura që i kontribuojnë programeve të armëve të shkatërrimit në masë dhe programeve të raketave balistike”.
Këta punëtorë fshehin identitetin e tyre, vendndodhjen dhe prejardhjen e tyre dhe përdorin dokumente të rreme për të aplikuar për punë, thanë autoritetet amerikane.

Tri grupet e tjera të sanksionuara nga Uashingtoni hjanë: Qendra Kërkimore 110, Universiteti i Automatizmit në Penian dhe Byroja e Zbulimit Teknik, të cilat paraprakisht ishin sanksionuar nga Koreja e Jugut për përfshirjen e tyre në operacionet kibernetike dhe gjenerimin e paligjshëm të të ardhurave, me të cilat mbështetej programi i armëve të shkatërrimit në masë i Koresë së Veriut, thuhet në deklaratën e autoriteteve amerikane.