BOTA, 9 Korrik 2025, 18:59

Përmbytjet tragjike në Texas/ 110 viktima, mes tyre dhe fëmijë! 170 ende të zhdukur

Përmbytjet tragjike në Texas/ 110 viktima, mes tyre dhe

Vazhdojnë kërkimet mes rrënojave dhe mbetjeve në Teksas, pesë ditë pas përmbytjeve të befasishme që goditën rajonin dhe morën jetën e të paktën 110 personave, mes tyre edhe shumë fëmijë.

Sipas guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott, numri i të zhdukurve ka kaluar në mbi 170 persona, ndërsa që prej së premtes nuk është gjetur asnjë i mbijetuar.

Situata më e rëndë paraqitet në qarkun Kerr, ku edhe kryeqendra Kerrville ka pësuar dëme të mëdha nga shirat e rrëmbyeshëm që ranë më 4 Korrik. Niveli i lumit Guadalupe u rrit me gati 8 metra brenda pak orësh, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme.

Sherifi i qarkut, Larry Leitha, njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 95, nga të cilët 36 janë fëmijë. Ndër viktimat janë të paktën 27 vajza dhe kujdestarët e tyre nga kampi i krishterë Camp Mystic, i vendosur pranë lumit.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet, ndërsa uji tërhiqet dhe ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në terren.