BOTA, 9 Korrik 2025, 12:17

"Menduan se isha çmendur"/ CNN: Trump kërcënoi Putinin dhe Xi se do të bombardonte Moskën dhe Pekinin

"Menduan se isha çmendur"/ CNN: Trump kërcënoi

Gjatë një takimi privat me donatorët vitin e kaluar, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se u përpoq ta bindte Presidentin rus Vladimir Putin të mos sulmonte Ukrainën duke kërcënuar se do të "bombardonte Moskën" në shenjë hakmarrjeje.

CNN e raportoi këtë pasi siguroi një regjistrim audio të komenteve të Trump. "I thashë Putinit: 'Nëse shkon në Ukrainë, unë do të bombardoj Moskën. Po të them, nuk kam zgjidhje tjetër'", tha Trump gjatë një mbledhjeje fondesh në vitin 2024, sipas audios.

"Dhe Putini tha: 'Nuk të besoj'. Por ai më besoi 10 përqind", shtoi Trump. Presidenti i SHBA-së më vonë pretendoi se i kishte përcjellë një paralajmërim të ngjashëm Presidentit kinez Xi Jinping në lidhje me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin duke bombarduar Pekinin.

"Ai mendoi se isha i çmendur", tha Trump për Xi, përpara se të theksonte se "nuk kemi pasur kurrë problem".