BOTA, 19 Janar 2022, 13:29

Paralajmëron Ukraina: Rusia thuajse ka përfunduar grumbullimin e forcave të saj për ofensivë

Paralajmëron Ukraina: Rusia thuajse ka përfunduar grumbullimin e

Ukraina ka paralajmëruar se Rusia thuajse ka përfunduar grumbullimin e forcave të saj që mund të përdoren për një ofensivë kundër vendit, duke marrë parasysh frikën se Moska mund të nisë një pushtim në çdo kohë.

Sipas vlerësimit të fundit të inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Rusia tani ka vendosur më shumë se 127,000 trupa në rajon.

Sipas këtij vlerësimi, bëhet fjalë për një situatë “të vështirë” dhe se Ukraina beson se Rusia po përpiqet të ndajë dhe dobësojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.

Veprimet e Rusisë synojnë gjithashtu kufizimin e aftësive të Shteteve të Bashkuara, thuhet në vlerësimin e inteligjencës së ministrisë ukrainase të mbrojtjes, për të garantuar sigurinë në kontinentin evropian. Vlerësimi vjen pasi tre raunde bisedimesh diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit që synonin shtensionimin e situatës nuk arritën të jepnin një zgjidhje javën e kaluar.

Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA, Wendy Sherman tha të mërkurën e kaluar se ishte e paqartë nëse Moska synonte të përdorte bisedimet si pretekst për të pretenduar se diplomacia nuk mund të funksionojë.

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Rusia ka dislokuar trupa nga rajonet e saj qendrore dhe lindore në kufirin e saj perëndimor në baza të përhershme. Në fund të dhjetorit dhe në janar, Rusia ka zhvendosur stoqet e municioneve, spitalet në terren dhe shërbimet e sigurisë në kufi, që sipas Ukrainës konfirmon përgatitjen për operacione sulmuese.

Në vlerësimin e lartpërmendur thuhet gjithashtu se Rusia mbështet më shumë se 35,000 rebelë në Ukrainën lindore dhe ka rreth 3,000 nga personeli i saj ushtarak i vendosur në territorin rebel.

Moska mohon të ketë ndonjë forcë në Ukrainën lindore. Aktiviteti i inteligjencës ruse kundër Ukrainës është intensifikuar gjithashtu, thuhet në dokument.

Ushtria ukrainase tha gjithashtu se Rusia mund të përdorë armë raketore me rreze të mesme veprimi për të shkatërruar objekte thelbësore, duke vënë në dukje se grupe taktike shtesë të raketave operative-taktike “Iskander” janë transferuar në kufi.