BOTA, 18 Janar 2022, 09:27

Kush e tradhtoi Anne Frank te nazistët?

Kush e tradhtoi Anne Frank te nazistët?

Ekipi prej 30 ekspertësh beson tani pas pesë vjet hulumtimesh, se ka zbuluar se kush ia dorëzoi Anne Frank dhe familjen e saj Gestapos në gusht të vitit 1944.

Sipas mediave holandeze, mendohet se noteri hebreo-holandez, Arnold van den Bergh, u ka dhënë pushtuesve gjermanë një listë se ku fshiheshin hebrenjtë në Amsterdam për të shpëtuar jetën e familjes së tij.

Midis tyre ishte adresa e banesës sekrete në Prinsengracht në Amsterdam, ku qëndronte e fshehur Ana Frank.

Një letër anonime me informacione të rëndësishme

Prova kryesore është kopja e një letre anonime që babai i Anës, Otto Frank, mori në vitin 1946. Në të përmendej emri i noterit, Arnold van den Bergh, i cili ishte anëtar i Këshillit Hebre dhe kishte shumë kontakte.

Fillimisht kontaktet e mbrojtën nga internimi, por në vitin 1944 ato nuk funksiononin më dhe kjo është arsyeja pse ai thuhet se ka tradhtuar vendet ku ishin fshehur disa familje hebreje – me shpresën se me këtë mund të shpëtonten të shoqen, tri vajzat  dhe veten.

Me probabilitet prej më shumë se 85 për qind

Sipas ish-hetuesit të FBI-së, Vince Pankoke, i cili luajti një rol kyç në hulumtimin në fjalë 77 vjet pas përfundimit të luftës nuk mund të ketë siguri absolute.

“Por teoria jonë ka një probabilitet prej më shumë se 85 për qind,” tha ai në një intervistë për Deutschlandfunk.

Qëllimi i hulumtimit nuk ishte të ngrejë akuza kundër dikujt, por të zbardhte misterin historik se kush ia dorëzoi Gestapos familjen Frank./Deutsche Welle